Atentati i dështuar në Elbasan, arrestohet kunati i Erion Alibejt dhe një tjetër (Emrat)

Dy persona janë vënë në prangat e policisë në lidhje me automjetin e zbuluar një ditë më parë në Elbasan që dyshohet se do të përdorej në një atentat mafioz.

Të arrestuarit janë Arben Spahiu kunati i Erion Alibejt dhe Arsen Preçi. Burime bëjnë me dije se brenda në çantën e hedhur në kosh pranë automjetit të braktisur, policia ka gjetur mjete identifikuese me emrin e Arben Spahiut. Bëhet fjalë për dy mjete identifikimi, konkretisht një kartë identiteti dhe një pasaportë e falsifikuar greke në emër të Spahiut.

Si dështoi atentati në Elbasan?

Ditën e djeshme policia e Elbasanit ka zbuluar një makinë tip “BMW X6” pa targa , që u dyshohej se mbrëmjen e të shtunës do të kryhej një atentat me armë zjarri në zonën e quajtuar ish-Konservimi.

Policia tha zyrtarisht se në makinën e cila ishte fshehur në një magazinë, kishte gjetur 3 armë zjarri kallashnikovë, dy në sediljen e pasme dhe një në bagazh. Gjithashtu në mjet u gjetën dhe 2 bidona me benzinë, që dyshohet se do të përdoreshin për djegien e makinës së krimit pas ngjarjes.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve pranë vendit ku ishte lënë makina, në këtë çantë marsup u gjet edhe një pistoletë.

Policia e Elbasanit bëri me dije se bazuar në disa informacione në rrugë operative, kishte rënë në dijeni se po përgatitej një ngjarje kriminale, duke shtuar patrullimet gjatë mbrëmjes në qytet.

Si rezultat i këtyre patrullimeve thotë Policia tha se autorët që dyshohet të kenë qenë të paktën 3 persona, janë tërhequr nga plani i tyre, duke fshehur makinën në lagjen “Emin Matraxhiu”, ose ndryshe në zonën e njohur si ish-Konservimi.

Në Drejtorinë e Elbasanit u shoqëruan disa persona të cilët u morën në pyetje, teksa grupi i hetimit po gjurmoi të gjitha kamerat e sigurisë në zonë, në mënyrë që të siguroj pamje të personave që kanë lënë makinën.

Mjeti është gjetur në lagjen ku ka banesën një personazh i njohur i botës së krimit në Elbasan, Erion Alibej. Ky i fundit, ndodhet i arrestuar me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe po hetohet nga SPAK për vrasjen e Regis Runajt dhe Emiljano Ramazanit.

Megjithatë Policia ka disa pista të cilat po i verifikon dhe ende nuk konfirmon zyrtarisht se kush ka qenë objektiv i këtij atentati të parandaluar.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *