Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati që ishte planifikuar për biznesmenin Elton Kila.
Sipas të dhënave të grupit hetimor është duke verifikuar kontaktet e Arben Spahiut dhe Arsen Preçit, të dy të arrestuar për tentativë për vrasje. Burime për “KlanTv” kanë bërë me dije se hetuesit kanë në duar një celular të markës Nokia, që i është sekuestruar Spahiut, por edhe një Samsung të Arsen Preçit. Në telefonin e këtij të fundit u gjetën biseda të tij për makinën, si dhe foto të një pallati në Elbasan që dyshohet se po e vëzhgonte.
Por në momentin që janë marrë në pyetje, të dy i kanë mohuar akuzat. Ndërkohë që edhe grupi hetimor tashmë nuk e ka të qartë nëse ngjarja është një atentat i përgatitur për Kilën, apo është e gjitha një ngjarje e inskeuar. Për të zbardhur ngjarjen, Prokuroria e Elbasanit ka dërguar për akt ekspertim armët dhe disa gjurmë gishtash të gjetura, përgjigjet e të cilave do të jetën vendimtare për fatin e hetimit.
Megjithatë hetimet e dritanishme tregojnë sipas Prokurorisë dhe Policisë së Elbasanit, se ka qenë Arsen Preçi personi që ka braktisur makinën tip BMW X6 në ndërtesën e quajtur “Ish-fabrika e salcës” në lagjen “Emin Matraxhiu”. Brenda 3 armëve të llojit automatikë të sekuestruara në këtë makinë, u gjetën 85 fishekë dhe çdo gjë ishte bërë gati për zhdukjen e provave.
Sipas hetimeve, Arsen Preçi e Arben Spahiu prisnin mbërritjen e Kilës në Elbasan për ta sulmuar atë. Ky i fundit, ka qenë duke udhëtuar nga Tirana drejt Elbasanit ndërkohë që në automjet ndodhej bashkë me fëmijët dhe ndërhyrja e Policisë pak minuta para mbërritjes së tij në qytetin e lindjes, u ka shpëtuar jetën. Mjeti u gjet i parkuar në lagjen e Erion Alibejt, i cili ndodhet pas hekurave pasi akuzohet për organizimin e një sërë vrasjeve dhe fillimisht u aludua se mjeti ishte lënë nga armiqtë e Alibejt, por hetimet sollën të tjera zhvillime.
Vetë Preçi dhe Spahiu, sapo panë prezencën e forcave të policisë në zonë, u larguan duke lënë automjetin pranë stadiumit “Elbasan Arena”.
Kjo është hera e katërt që dështojnë atentate që kanë pasur për qëllim eliminimin e Elton Kilës. Shkak për eliminimin e tij mendohet të jetë një hakmarrje e lidhur me kunatin e Alibejt, Arben Spahiu. Ai është vëllai i Ardit Spahiut, i vrarë në Belgjikë dhe i Rigers Spahiut, i arrestuar në tetor të 2022 pasi u kap me një arsenal armësh. Tashmë pritet marrja në pyetje e të gjithë të përfshirëve në këtë ngjarje.