Atentati i dështuar në Elbasan, policia jep detajet: Do kryenin krimin, fshehën sendet pas presionit policor

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e Arsen Preçit dhe Arben Spahiut, dy personat që dyshohen se do kryenin atentat në Elbasan.

Uniformat blu raportojnë se këto dy persona, për shkak të presionit të ushtruar, fshehën mjetin, armët e zjarrit, bidonat me benzinë dhe mjetet e tjera me të cilat do të kryenin krimin.

Arsen Preçi, 53 vjeç, do të hetohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”. Ndërsa Arben Spahiu, 44-vjeç, do të hetohet për veprën penale “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni policor i koduar “Inteligjenca”, për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Në vijim të operacionit, Policia kap dhe vë në pranga 2 shtetasit që dyshohet se janë të përfshirë në rastin e parandaluar nga Policia.

Në nisje të operacionit, një ditë më parë, Policia gjeti dhe sekuestroi 4 armë zjarri (3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë) dhe një automjet, që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e këtij krimi.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për një ngjarje të mundshme kriminale, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Inteligjenca”.

Në kuadër të operacionit u ngritën pika të shumta kontrolli dhe u ushtrua kontroll në ambiente të ndryshme të cilat dyshohej se shërbenin për fshehjen e sendeve dhe mjeteve me të cilat mund të kryheshin veprimtari kriminale.

Pas kontrollit në terren, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, shërbimet e Policisë gjetën një automjet tip “BMW X6”, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë). Gjithashtu, në afërsi të një koshi mbeturinash, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.

Personat e dyshuar, për shkak të presionit policor në terren, fshehën automjetin me të cilin qarkullonin, armët e zjarrit, bidonat me benzinë dhe mjete të tjera me të cilat do të kryenin krimin.

Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të operacionit policor “Inteligjenca”, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

A. S., 53 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”;

A. P., 44 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Për hetimin e thelluar të këtij rasti është duke punuar një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët më të mirë të hetimit të krimit të DVP Elbasan, specialistët e Drejtorisë për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *