Zbardhen detajet se kush ishte makina që u përdor për të spiunuar lëvizjet e Brilant Martinajt dhe dy shokëve të tij, të cilët u ekzekutuan mizorisht në mbikalimin e Fushë Krujës.
Sipas hetimeve, ka qenë një makinë e bardhë tip “Volkswagen Polo” që dyshohet se dha informacion tek vrasësit për lëvizjen e automjetit ku udhëtonin Brilant Martinaj, Dikler Vata e Besmir Hoxha.
Makina në fjalë ka qenë me targa të vjedhura, ndërkohë që ajo është larguar në drejtim të Rinaist, pasi janë informuar autorët që kryen ekzekutimin. Pavarësisht gjurmimit të disa kamerave nga ana e policisë dhe prokurorisë nuk është bërë e mundur gjetja e këtij automjeti, për të cilin nuk përjashtohet mundësia që të jetë çmontuar menjëherë pas vrasjes së 3-fishtë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 17 korrik 2022, kur persona të armatosur i bënë pritë automjetit ku udhëtonin Brilant Martinaj, Dikler Vata e Besmir Hoxha, duke i ekzekutuar që të tre. Në vendngjarje policia gjeti qindra fishekë kallashnikovi. Brilant Martinaj ishte kushëri i Ervis Martinajt dhe dyshohet se ekzekutimi tij dhe shokëve të tij ndodhi për shkak të përplasjes mes grupeve rivale. Ende sot policia nuk ka asnjë të arrestuar për këtë masakër.