Atentati ndaj Gentian Bejtjes/ Zbardhet dëshmia e Valter Bamit

Valter Bami, i arrestuar mbrëmjen e djeshme nga Policia e Tiranës ka mohuar akuzat të cilat rëndojnë mbi të se është pjesëmarrës në atentatin ndaj Gentian Bejtjas, ku mbeti i vdekur kunati i këtij të fundit, Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijet e mitur të tij.

Në dëshminë e tij para uniformave blu, Bami deklaroi se “në momentin që ndodhi ngjarja ai ishte në shtëpinë e tij”, duke i qëndruar kështu deklaratës së tij të parë të dhënë për policinë vetëm disa orë pasi ndodhi ngjarja.

Evidentimi i shenjave të barutit është bërë në mikroskop elektronik, që ka qenë vendimtar për nxjerrjen e urdhër-arrestit për Bamin. Gjurma e barutit i është gjetur tek kyçi i dorës. Bami ka patur doreza dhe pjesa e gishtave dhe pëllëmbës ka dal e pastër. Deri më tani ka vetëm një akuzë ndaj tij atë të “armëmbajtjes pa leje”.

Bashkë me Bamin u shoqëruan në polici edhe dy persona të tjerë të cilët ndodheshin në shoqërinë e Bamit. Pasi janë marrë në pyetje, ata pritet të lirohen pasi nuk janë ngritur akuza ndaj tyre.

Sjellim në vëmendje se Valter Bami lokalizua dhe më pas u kap nga efektivët e policisë, rreth orës 20:30 të së enjtes, në fshatin Greps, të Niklës, për t’u shoqëruar drejt Tiranës.

Valter Bami sipas policisë është ndaluar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në vijim të hetimeve për ngjarjen e datës 3 Korrik në fshatin Larushk të Krujës, ku në oborrin e banesës së Gentjan Bejtjas u qëllua me armë zjarri dhe për pasojë u vra kunati i tij Ramazan Sino.

Për herë të parë, Bami u shoqërua rreth orës 04:00 të 3 Korrikut. Atij iu mor deklarimi për këtë ngjarje dhe më pas u la i lirë. Ndërsa këtë të enjte, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë janë gjetur sipas policisë faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri, që do të thotë mbetje të barutit. Ndaj në bazë të ekspertizës, Prokuroria lëshoi edhe urdhrin e ndalimit.

Kujtojmë se vëllezërit Bami dhe Gentian Bejtja kanë qenë miq mes tyre, por në vitet e fundit ata dyshohet se kanë kërkuar eliminimin e tij, për shkak të informacioneve që ish-punonjësi i policisë mund të ketë pasur për krimet e tyre. Ka raportime së fundi se Bejtja strehohej te një grup kriminal që operon në zonën e Lezhës, kundërshtar me ‘të fortët’ e Niklës.

Valter Bami
Valter Bami

Personi që shihni në foton e mësipërme është 37-vjeçari Valter Bami, i njohur ndryshe si “i forti” i Niklës.

Ai u arrestua një ditë më parë nga Policia e Tiranës nën akuzën për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Bami u shoqërua si i dyshuar pas atentatit të Larushkë, ku u vra Ramazan Sino dhe u plagosën dy djemtë e mitur të Gentjan Bejtjas dhe nga bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të 37-vjeçarit, janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri.

Valter Bami, nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi njihet për një sërë rekordesh kriminale.

 

Si ndodhi vrasja e Ramazan Sinos:

Pak pas mesnatës së 4 korrikut breshëri automatiku u regjistruan në fshatin Larushk të Krujës. Si psojë mbeti i vdekur Ramazan Sino, kunati i Gentian Bejtjes, ish-policit i cili është i njohur në botën e krimit, i cili ishte dhe shënjestër e atentatit.

Gjithashtu, mbetët të plagosur dy fëmijët e Bejtjas, 13 dhe 10 vjeç. Atentati u shënua rreth orës 00:15, në oborrin e banesës së Gentian Bejtjas në fshatin Larushk, 20 km larg qytetit të Krujës.

Ramazan Sino 29-vjeç, bashkë me nipat e tij Alvi Bejtja,13-vjeç, dhe djali tjetër 10 vjeç (djemtë e Gentian Bejtjas) u qëlluan me breshëri automatiku në oborrin e banesës. Ramazan Sino ndërroi jetë në vend si pasojë e plagëve të marra, ndërsa dy të miturit u dërguan në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.

Dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë pikërisht Gentian Bejtja, një person me presedentë penalë, që u ka shpëtuar dhe dy atentateve të tjera, një në vitin 2016 dhe një tjetër në vitin 2022, ku u plagos në krah.

Ndërkohë, Policia gjeti një makinë të djegur në zonën e Lapidarit në Tapizë. Makina ishte pa targa dhe brenda automjetit u gjetën 3 kallashnikovë, të cilët u sekuestruan dhe u dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore për t’u ekzaminuar.

 Gentian Bejtja dhe viktima Ramazan Sino
Gentian Bejtja dhe viktima Ramazan Sino

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *