“Autoritetet ndërkombëtare po kërkojnë 4 britanikë për vdekjen e një biznesmeni shqiptari i cili u ekzekutua me armë zjarri në lokalin e tij”. Kështu e nis artikullin e saj, presitgjozja britanike ‘The Sun’ pasi policia shqiptare mundi të zbardhë atentatin ndaj Ardian Nikulajt, që ndodhi një javë më parë në Shëngjin.
‘The Sun’ shkruan edhe për shqiptaro-britanikun Edmond Haxhia, i cili po kërkohet gjithashtu për vrasjen.
“Autoritetet lokale thuhet se po koordinohen me Agjencinë Kombëtare të Krimit dhe Policinë Metropolitane pas vrasjes, e cila ndodhi të mërkurën më 19 Prill. Grupi i britanikëve mendohet se janë arratisur në një vend të panjohur pas vrasjes”, shkruan ‘The Sun’.
Në lidhje me ngjarjen është shpallur në kërkim edhe një portugez, Ruben Saraiva, i cili dyshohet se është ekzekutori i Ardian Nikulajt. Sipas britanikes, dyshohet se ai ka kaluar kufirin në Maqedoninë e Veriut për t’i shpëtuar autoriteteve. ‘The Sun’ i referohet deklaratave të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, sipas të cilit janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme që i përkasin autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Kjo ngjarje është pasqyruar edhe në mediat greke. ‘Protothema’ ka publikuar në faqen e saj online lajmin e zbardhjes së këtij atentati ku e vë theksin tek vrasësi, i cili është portugez.
Edmond Haxhia Done, me shtetësi shqiptare dhe britanike, Ruben Saraiva, shtetas portugez, Harry Simson, shtetas britanik, Thomas Mithan, shtetas britanik, Steven Hunt, shtetas britanik, Harriet Bridgeman, shtetase britanike janë 6 të shpallurit në kërkim për vrasjen e biznesmenit Nikulaj.