Henrik Hoxhaj, “killeri” i cili bashkë me Nuredin Dumanin kanë pranuar të rrëfejnë krimet e tyre ndër vite pas arrestimit, rezulton i përfshirë edhe në atentatin ndaj Lulëzim Mashës, administrator i një shkolle private në Tiranë.
Para prokurorëve, Henrik Hoxhaj të jetë shprehur se në janar të vitit 2022, ka qenë pjesëmarrës në atentatin e ndodhur ndaj Lulëzim Mashës, i cili udhëtonte me një makinë ML tek diga e Liqenit.
Henrik Hoxhaj tregon se kishte pajtuar Skerdi Tasin për të vrarë Lulzim Mashën. Ai kishte qëlluar ndaj biznesmenit por nuk e kishte eliminuar dot. Ndërkohë sipas Henrik Hoxha, Nuredin Dumani i kishte thënë se duhej të vritje djali i Lulëzim Mashës, pasi mashtronte njerëzit dhe u merrte para. Duke qenë se djali fshihej në Maqedoni “porositësit” kanë tentuar të vrasin babanë e tij.
“Nuredin Dumani nga mesi i viti 2021 më ka shkruar dhe më ka ofruar 100 mijë euro nëse kryeja vrasjen e Lulzim Mashës. Unë e kam marrë përsipër për ta kryer bashkë me Skerdi Tasin këtë vrasje. Pas rreth 8 muajsh në Janarin e 2022, bashkë me Skerdin jemi nisur për të kryer vrasjen. Të dy kemi qenë në Tiranë dhe unë kam patur një makinë ML gri me qira. E lash Skerdin tek diga e Liqenit që të priste Lulzim Mashën. Jemi takuar pas 45 minutash tek furgonat e Fierit ku ai ishte me këmbë pasi kishte qëlluar ndaj Lulzim Mashës. Ai më tha se i kishte qëlluar por nuk e kishte vrarë dot dhe ishte larguar në këmbë. Armën më tha se e ka hedhur në liqen. Unë kam pyetur Nuredin Dumanin se pse duhej të vritje Lulzim Masha dhe Dumani më tha se në fakt duhej të vritje djali i Lulzim Mashës. Sipas Dumanit ai mashtronte duke u marrë para njerëzve dhe fshihej në Maqedoni. Nuk kam dijeni për llogari të kujt kishte marrë Nuredin Dumani këtë porosi.” mësohet të jetë shprehur Henrik Hoxhaj.
Rreth 3 muaj pas atentatit të dështuar ndaj Lulëzim Masha, pranë Liqenit të Thatë në Tiranë, është vënë në pranga një 31-vjeçar. Pas hetimeve që kanë zgjatur për disa javë, policia ka identifikuar me prova dhe dëshmi përfshirjen e Skerdi Tasit në ngjarje, ku tashmë i riu është arrestuar. Ai akuzohet për dy vepra penale, “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. 31-vjeçari qëlloi me 3 plumba në drejtim të automjetit tip “Mercedez Benz ML”, ku Lulëzim Masha po lëvizte, dy prej plumbave kapën në makinën e 63-vjeçarit.