Puna me autokombajnë, që përdoret si arsye për të justifikuar pasurinë e dyshuar që vjen nga krimi, ka çuar një fshat të tërë dëshmitar në Gjykatën e Posaçme.
Kjo është fabula e një historie të pazakontë, që nisi me Operacionin Forca e Ligjit, dhe tashmë ka përfunduar në dyert e GJKKO-së dhe që vazhdon ende.
Bektash Shtëpënja, nga fshati Kozare, ka thirrur një zonë të tërë dëshmitarë për të dëshmuar se e kanë korrur grurin me autokombajnën e tij.
Raportohet se sot janë paraqitur në gjykatë pjesa e dytë e 240 fshatarëve që e mbrojnë, rreth 40 prej tyre. Ndërkohë që priten edhe 80 të tjerë.
Për 30 vjet, lekët për korrjen e grurit i kanë marrë pa fatura, për të provuar nëse pasuria është vënë apo jo nga puna me autokombajnë. Dëshmitarë janë thuajse të gjithë fermerët e fshatit që kanë punuar me Bektashin dhe Sokol Shtëpënjën.
Bektashi ka plotësuar formularin e OFL-së për shtëpinë dhe tokën, duke deklaruar se të ardhurat i ka nga autokombajna, të cilën e punon prej vitit 1991, si privat dhe nga viti 1980 ka qenë pjesë e kooperativës.
Prokurorja Elida Kackini ka kërkuar konfiskimin e pasurisë, si të ardhur nga krimi. Shtëpënja nuk ka shkuar në gjyq, por ka dërguar djalin, me pretendimin se po korr grurin e fshatit.
“Kur të mbarojë gruri, vij në gjyq, por kam të ardhura me djersë e punë, jo siç thotë OFL. S’jam kriminel, i gjithë fshati më njeh. Nuk kam manipuluar dëshmitë e fshatit, siç thotë SPAK, jam punëtor”, mësohet të ketë thënë Shtëpënja.
Institucionet dyshojnë se ai ka pasuri të bërë me paratë e dhëna nga i biri, i cili është i dënuar për trafik droge dhe prostitucion në Itali.
Autokombajna përveç grurit korr edhe lekë/ Ngrihet fshati në “këmbë” dëshmojnë në SPAK. Detaje…
Leave a comment