34-vjeçari Lekë Vuksani, i cili ekzekutoi pronarin e banesës ku jetonte me qira, Petrit Vuksani ka dëshmuar përpara hetuesve se arma e krimit nuk ishte e tij. Ai ka deklaruar se kishin debate për qiranë e shtëpisë dhe ditën e krimit viktima e kishte nxjerrë nga shtëpia.
“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli. Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik që nuk është i imi por i Petritit. Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar” – mësohet të ketë thënë autori i dyshuar i vrasjes.
Pavarësisht pretendimit të 34-vjeçarit se arma e krimit ishte e viktimës, policia ka prova se arma është e Lekë Vuksanit.