Ditën e djeshme në Malin e Zi, u gjet trupi i pa jetë i ish-shefit të Antidrogës, Rudolf Elezović. Autopsia e cila është bërë publike ditën e sotme ka konfirmuar se polici është vrarë me një plumb në kokë para 11 ditësh.
Hetuesit dyshojnë se oficeri i antidrogës së Ulqinit dhe Tivarit është ekzekutuar në një vend tjetër dhe më pas është çuar buzë lumit Buna, pranë fshatit Shëngjergj të Ulqinit.
Sipas mediave malazeze, policia nuk ka gjetur armën apo gëzhojën. Pranë trupit nuk kishte asnjë provë që do të ndihmonte grupin hetimor. Fillimisht u dyshua se ai ishte vetëvrarë, por pas këqyrjes me imtësi të vendit të ngjarjes, policia arriti në konkluzion se Elezoviç është vrarë.
Kujtojmë se Elezoviç, zhduk më 27 maj të këtij viti dhe ishte gruaja e tij, ajo që raportoi në lidhje me humbjen tij. Ai u gjet i pa jetë mbas 13 ditësh. Mediat lokale kanë raportuar se zhdukja e ish- shefit të Antidrogës në policinë kufitare të Ulqinit kishte të bënte me aksionin policor “Kurthi”, ku u arrestuan 24 persona për trafikimin e 2.5 ton marijuanë nga Shqipëria, përmes Malit të Zi e drejt vendeve të rajonit e më pas për në vendet e BE-së.
Ndërkohë po të njëjtit grup policia i sekuestroi në nëntorin e vitit të kaluar 2.6 ton kanabis në një kamion në Podgoricë. Elezoviç shërbeu si shef i policisë së Ulqinit për gati gjashtë vjet, deri në vitin 2014, kur u zëvendësua nga Sead Djozovic.
Më parë, ai gjithashtu ka punuar për disa vjet në pozicione menaxheriale në OB Ulqin dhe më vonë ka mbajtur poste të përgjegjshme në sektorin e policisë kufitare.