Pas pothuajse 2 orësh, ka përfunduar dëshmia e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës në Prokurorinë e Tiranës, ku u mor në pyetje mbi protestën e dhunshme të 8 janarit të Sali Berishës, që shkatërroi selinë e PD. Para gazetarëve, Lulzim Basha tha se autorët e dhunës së protestës duhet të vihen para drejtësisë, ndërsa theksoi sërish se Sali Berisha për egoizimin dhe interesat personale po shkatërron PD-në.
“Kërkoj zbardhjen dhe vendosjen përpara përgjegjësisë të organizatorëve të dhunës, u them demokratëve që nuk do biem në këtë kurth ku dhe Sali Berisha është kthyer në një aleat të kundërshtarëve të Partisë Demokratike.
Në një kohë kur kjo prokurori do të duhet të gëlonte nga të arrestuarit e aferës së inceneratorëve, Sali Berisha me retorikën e dhunës është përpjekur ta pengojë këtë. Sali Berisha nuk ia ka dalë të imponohet përmes dhunës, demokratët kanë treguar se nuk mund të përdoren për interesat e një personi të vetëm.
Partia Demokratike është gati për t’i dhënë fund tranzicionit 30-vjeçar, kështu duhet ta shikoni dhe 8 janarin, si një përpjekje e pak njerëzve për të mbajtur peng Shqipërinë”, tha Basha.
Basha ishte thirrur të paraqitej në prokurori në orën 12:00, por shkoi atje pas daljes së Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gamzent Bardhit. Ky i fundit u mor në pyetje për 2 orë e 30 minuta, ndërsa deklaroi për mediat se kishte dhënë shpjegimet e tij për gjithçka ndodhi më 8 janar. Ai theksoi se brenda selisë së PD-së nuk është gjendur asnjë send i paligjshëm, teksa akuzoi Sali Berishën se i sulmoi me ‘një grusht njerëzish’. I pyetur për dyert e blinduara në selinë e PD-së, Bardhi tha se ato do të qëndrojnë aq kohë sa të jetë e nevojshme.
/Priza.al/