Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet ish-Sigurimit të Shtetit ka reaguar në lidhje me vendimin e gjykatës së Apelit, që detyron përfundimisht Prokurorinë të regjistrojë procedim penal ndaj Autoritetit të Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, pas kallëzimit të bërë kundër këtij institucioni, nga ish presidenti Ilir Meta. Në një deklaratë të Autoritetit për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, thuhet se janë në pritej të vendimit të arsyetuar të Gjykatës së Apelit.
“Ndaj Autoritetit janë ngritur një padi administrative dhe një padi penale, nga përfaqësuesit ligjorë të shtetasit I.M.
Në procesin e parë, që u zhvillua në Gjykatën Adminisrative, gjykata vendosi në favor të Autoritetit, ndërsa në procesin tjetër vendosi rrëzimin e ankimimit të prokurorisë dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në lidhje me procesin e parë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, rrëzoi padinë e përfaqësuesve ligjore të shtetasit I.M. në drejtim të Autoritetit për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, me objekt-kërkese: ”Detyrimin e organit administrativ Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e Ish- Sigurimit të Shtetit për të kryer veprimin administrativ pajisjen e kërkuesit me aktet e kërkuara me kërkesën e datës 14.09.2022.”
Gjykata Administrative vendosi me këtë rast: Rrëzimin e kërkesë-padisë së paraqitur nga paditësi, si të pabazuar në ligj dhe në prova.
Ndërkohë, Autoriteti u njoh sot, nëpërmjet medias, me njoftimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së rrethit Gjyqësor të Tiranës, vendim që rrëzon ankimimin e prokurorisë “Për mosfillimin e procedimit penal”, ndaj anëtarëve të Autoritetit për Informim mbi dokumetat e ish-Sigurimit të Shtetit, Tiranë.
Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit deklaron se është në pritje të vendimit të arsyetuar të Gjykatës së Apelit ndërsa siguron publikun, se në veprimtarinë e tij zbaton parimet kushtetuese dhe ligjin e veçantë me të cilin normohet veprimtaria institucionale, si dhe respekton parimet e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat që ka çdo institucion.
Parimisht, si në çdo rast kur vendimet përmbajnë detyrime për Autoritetin, Autoriteti vepron duke zbatuar detyrimet e përcaktuara nga gjykata ose i ankimon vendimet në gjykatat më të larta.
Autoriteti vlerëson ndjekjen e të njëjtës rrugë edhe nga institucione të tjera, sipas kompetencave, si dhe është i hapur për bashkëpunime me të gjitha institucioneve në përputhje me ligjin në fuqi të Republikës së Shqipërisë.’- thuhet në deklaratën për mediat.