Autoriteti i Konkurrencës vendosi në muajin maj hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e ofrimit dhe aksesit të shërbimit të internetit, ndaj ndërmarrjeve të administrimit dhe ndërmarrjeve të internetit në rezidencat e banimit që këto ndërmarrje ushtrojnë veprimtarinë. Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2020 deri në 10 maj 2024.
Ky vendim erdhi në vijim të procedurës së hetimit paraprak, që filloi në fillim të vitit 2024, pas ankesave të depozituara pranë Autoritetit të Konkurrencës, mbi problematikat në zgjedhjen e ofrimit të shërbimit të internetit pranë komplekseve të pallateve në kryeqytet.
Këto rradhë të shkëputura nga një lajm i publikuar në revistën “Monitor” na tërhoqën vëmendjen. Një institucion publik që çuditërisht po kryen një hetim administrativ në interes publik. Ky hetim ka të bëjë me monopolin e shpërndarjes së internetit në pallate, komplekse dhe rezidenca banimi.
Është një “luftë” e egër se cila nga kompanitë do të futet e para në x godinë apo kompleks për të ofruar shërbimin e internetit.
“Korruptohen” administratorë pallatesh më shifra qesharake thjesht për të favorizuar x apo y kompani.
Dhe të gjitha këto metoda dhe kjo luftë, ka nisur sepse në një popullsi kaq të vogël sa jemi ne, operojnë një numër i madh kompanish që ofrojnë këtë shërbim, dhe rrjedhimisht mbijetesa në treg kthehet në “detyrë”. Kjo sa thamë më sipër vlen për kompanitë të cilët kërkojnë ta fitojnë “bukën e gojës” me përpjekje dhe punë.
Themi kështu, sepse ka edhe raste si kompania “Selcom” që çon “bukën” tek pronarët pa asnjë lloj lodhje.
Kompania “Selcom” themeluar në vitin 2006 nga Gentian Sula dhe Altin Bushka është krijuar posaçërisht për t’i ofruar shërbimin e internetit zonës së Kodrës së Diellit (edhe për të kapur ndonjë lek publik nëpërmjet tenderave për të cilat do të flasim në vijim). Pra pronari i rezidencës “Kodra e Diellit”, z. Sula sëbashku me bashkëshortin e deputetes Klotilda Bushka, që njëkohësisht është edhe punonjës i kompanisë “Agikons” si inxhinier, ofrojnë edhe shërbimin e internetit për kompleksin që vetë ndërtoi. Dhe kjo duke mos lejuar asnjë kompani tjetër të operojë në Rezidencën Kodra e Diellit.
A është apo jo një monopol ky i krijuar nga Gentian Sula dhe Altin Bushka, këtë do na e tregojë raporti i hetimit të thelluar që po kryhet nga Autoriteti i Konkurencës. Është në dorën e Denar Bibës, Leida Matjes, Durim Krajës, Fatjola Delisë dhe Rozana Perollës të cilët do duhet të tregojnë nëse janë autoriteti i konkurencës së ndershme, apo autoriteti që është nën thundrat e Gentian Sulës dhe burrit të Klotilda Bushkës.
Në vijim:
Skema se si Gentian Sula nëpërmjet kompanisë tjetër që zotëron në masën 100%, “S&D Invest” kontrollon një rrjet tjetër kompanish si “Vibia” “Swan Residences” dhe “Art&Tourism Development Group” dhe të gjitha kompanitë e tij, blejnë dhe shesin nga njëra tjetra duke u zhytur në një skemë të fshehjes së të ardhurave, mosdeklarimit të tyre si dhe të pastrimit të produkteve të veprës penale. Ky rrjet i ngjashëm me të merimangave, por që në fakt janë kompani, kanë marrë miliarda jo vetëm nëpërmjet banorëve që jetojnë në rezidencat e tyre, por edhe duke marrë lekë publike nëpërmjet tenderave të kompanive të ndërlidhura me to që përfundundojnë tek sistemi i sigurimeve dhe shëndetësia.
*Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016