Autoriteti i Konkurrencës miraton zgjatjen edhe për tre vjet të marrëveshjes së siguruesve për tregtimin e Kartonit Jeshil

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të zgjasë edhe për tre vjet të tjera përjashtimin nga ndalimi për marrëveshjen mes kompanive të sigurimit me objekt administrimin dhe tregtimin e Kartonit Jeshil.

Ky është përjashtimi i tretë nga ndalimi që ju njihet kompanive për produktin në fjalë, në vijim të vendimeve të mëparshme të Komisionit Konkurrencës në 2018 dhe 2020.

Kartoni Jeshil apo Çertifikata Ndërkombëtare e Sigurimit Motorrik mbulon të gjitha përgjegjësitë civile (dëmet materiale dhe shëndetësore), që mund të shkaktohen nga përdorimi i mjetit motorik jashtë vendit. Çdo drejtues i një mjeti me targa shqiptare duhet të pajiset detyrimisht me një policë sigurimi Karton Jeshil kur udhëton jashtë Shqipërisë. Objekt i marrëveshjes në fjalë është vendosja e një marrëdhënie bashkëpunimi mes shoqërive të sigurimit në tregun e sigurimeve të detyrueshme të mjeteve motorike të Kartonit Jeshil, lidhur me shitjen dhe administrimin e kartonit jeshil me qëllim kryesor përmirësimin dhe rritjen e garancisë.

Sipas Byrosë Shqiptare të Sigurimit (enti që administron Kartonin Jeshil), marrëveshja ka për objekt bashkëpunimin në lidhje me vendosjen e tarifave të primeve të rrezikut të zakonshëm bazuar në statistika të konstatuara kolektivisht ose në numrin e pretendimeve; vendosjen e kushteve të policave standarde të përbashkëta për eliminimin e policave false dhe vendosjen e sistemit të kodit unikal-bar kod dhe njoftimin në kohë reale në sistemin e informacionit të AMF-së të çdo police të kartonit jeshil dhe në shlyerjen e dëmeve. Qëllimi i marrëveshjes është shitja e policave të kartonit jeshil nëpërmjet një numri të autorizuar operatorësh në pikat e kalimit kufitar dhe degët qendrore të shoqërive të sigurimit. Procesi i shitjes realizohet me anë të shoqërisë së brokerimit të autorizuar nga Byroja, e cila ka stafin teknik, sistemin e shitjes online në kohë reale dhe broker fizik të licencuar.

Sipas Byrosë, marrëveshja synon të rrisë garancinë dhe sigurinë e këtij shërbimi në përputhje me standardet COB (Këshillit të Byrove) dhe rritjen e garancisë së drejtuesve të mjeteve, të cilët përdorin automjete përtej kufirit të RSH, të cilët duhet të jenë të siguruar kur hyjnë në vende ku një sigurim i tillë është i detyrueshëm. Gjithnjë sipas BSHS, marrëveshja synon edhe shmangien e kolapsit dhe një përjashtim të mundshëm të BSHS nga Sistemi Ndërkombëtar i Kartonit Jeshil. BSHS ndodhet prej pesë vitesh në status monitorimi nga Këshilli i Byrove dhe është përballur me një rrezik serioz për përjashtimin nga ky këshill. Kjo do të nënkuptonte pamundësinë e kompanive shqiptare të sigurimit për ta ofruar këtë produkt.

Sipas analizës së BSHS, gjatë kësaj periudhë nuk ka patur rritje të çmimit të kartonit jeshil nga siguruesit, po ashtu as rritje të çmimit të rriskut, i cili miratohet nga AMF. Për më tepër konsumatorëve që udhëtojnë në Mal të Zi vazhdohet t’ju ofrohet karton jeshil me një çmim prej 62% më lirë se më parë. Për eliminimin e policave fallco, tashmë polica e sigurimit karton jeshil është e vetmja policë sigurimi që printohet me QR Code. Nga ana e BSHS është ngritur sistemi i kontrollit elektronik në kufi të policave të sigurimit të pajisura me QR Code dhe është në proces të përfundimit të marrëveshjes tri palëshe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe AMF, me qëllim lehtësimin e këtij kontrolli.

Pasi ka analizuar argumentet e parashtruara nga Byroja, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur të vazhdojë përjashtimin nga ndalimi Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes ndërmarrjeve të sigurimit lidhur me shitjen dhe administrimin e kartonit jeshil.

Marrëveshja përjashtohet nga ndalimi, me kusht që secila prej ndërmarrjeve të sigurimit, pjesë e marrëveshjes, duhet të tregtojë produktin e kartonit jeshil nëpërmjet agjentëve të saj dhe polica e sigurimit duhet të përmbajë logon e ndërmarrjes që e tregton dhe barkodin përkatës, duke shmangur koordinimin e sjelljes lidhur me ndarjen e pjesëve të tregut dhe caktimit të çmimeve mes palëve njoftuese të marrëveshjes. Në rast të mos respektimit prej ndërmarrjeve pjesëmarrëse në marrëveshje të kushteve dhe detyrimeve të përcaktuar në pikën 2, Komisioni i Konkurrencës do të ushtrojë kompetencën e tij të revokimit të këtij përjashtimi. Gjithashtu, vendimi kërkon që çdo amendim i kësaj marrëveshjeje nga palët duhet të njoftohet për përjashtim pranë Autoritetit të Konkurrencës./monitor

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *