Rezart Kthupit, avokati Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror ka deklaruar se nuk kemi të bëjmë me një grevë, siç ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e quajti. Në një dalje për mediat, ai ka shpjeguar gjithë të vërtetën e palës që ai mbron, duke sqaruar se nuk jemi në kushtet e braktisjes së punës.
“2 prej tyre deklaruan më parë paaftësinë për punë dhe për ta u nisën procedurat për shkarkimin e tyre. Pas kësaj të gjithë patën stres dhe të gjithë së bashku kanë deklaruar të gjithë paaftësinë për punë. Arsyeja kryesore është ndryshimi i procedurave operacionale. Ata kanë të bëjnë me sigurinë ajrore të Republikës së Shqipërisë. Ata vijojnë të shkojnë në punë por nuk ushtrojnë funksionin. Një kontrollor i trafikut ajror që është në kushtet e pamundësisë psikologjike për ta bërë punën është i detyruar ligjërisht të njoftojë. Moszbatimi i këtij detyrimi ligjor do të ishte pastaj arsye për heqja nga puna. Kjo nuk është çështje politike. Ne nuk kemi asnjë interes të përfshihemi në politikën e ditës”, vijoi ai.
Kthupi ka sqaruar se kontrollorët e trafikut ajror janë të gatshëm që të negociojnë me Ministrinë e Infrastrukturës për të gjetur një zgjidhje, që të mos dëmtohet asnjë palë.
“Ne gjykojmë që nuk ka hapësirë ligjore për të shkuar në ndjekje penale. Kontrollori ka detyrimin të saktësojë që nuk është i aftë për punë. Është e vërtetë deklarata e ministres për ulje të punës por kontrata e punës nuk mund të cenohet në mënyrë të njëanshme”, tha ndër të tjera avokati.
Rreth 60 kontrollor të trafikut ajror kanë deklaruar paaftësi në punë për shkak të uljes së pagave nga 4400 dollarë në 2400 dollarë. Një gjë e tillë, ministrja Balluku tha se kjo është një grevë ilegale dhe do të mbajnë përgjegjësi penale, teksa akuzoi se pas kësaj fshihet ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta.