Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në konferencën e përjavshme me gazetarët ka folur mbi zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Ai ka akuzuar mazhorancën dhe kreun e saj Ramën, se kërkon të kontrollojë të gjitha pushtetet në vend. Si të vetmin institucion ende të lirë, Berisha cilësoi Bashkinë e Shkodrës.
Kreu i PD-së u ndal në listën e përgatitur nga opozita, e cila u hodh për votim ditën e djeshme në seancën plenare. Ai e cilësoi si listën më dinjitoze të paraqitur ndonjëherë, në të cilën kishte edhe përfaqësues të të përndjekurve politike si Besim Ndregjoni, dhe aktivistë të shoqërisë civile si Altin Goxhaj.
“Ata u hodhën poshtë vetëm pse Edi Rama nuk pranonte asnjërin prej tyre, përveç atij që donte vetë. Ajo që patë në këtë proces ishte, do të thosha procesi më i turpshëm, me të cilin Edi Rama haptas kërkoi të pushtojë të vetmin institucion që ai nuk e kontrollon.” – u shpreh Berisha.