Stilisti i njohur nga Prishtina, Valdrin Sahiti, është kthyer ditën e sotme në personazhin publik më të diskutuar të momentit.
Kjo pasi në disa media online, u raportua se ishte kapur nga autoritetet turke me posedim të substancave narkotike në Aeroportin e Stambollit, duke shfrytëzuar pasaportën diplomatike.
Megjithatë, këto akuza i hedh poshtë avokati i tij, Besnik Berisha, i cili ka treguar se ka kontaktuar me Valdrinin dhe se stilisti nuk është i arrestuar në shtetin turk, por ndodhet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Nuk janë të vërteta lajmet që kanë qarkulluar për Valdrinin sot. Ndaj tij nuk është inicuar asnjë precedent penal dhe nuk është ndaluar nga autoritetet turke. Ai ndodhet në Dubai, ku po vazhdon aktivitetet e tij biznesore”, tha Berisha.
Më tej ai theksoi se ka pasur vetëm një ngatërrese të vogël sa i përket një çante, të cilën ai e ka harruar në aeroport.
“Valdrini ka pasur një çantë dore të cilën e ka harruar në aeroport dhe gjatë udhëtimit të tij i ka rënë ndër mend dhe e ka kërkuar çantën që ta marrë mbrapsht. Sigurisht që stafi i aeroportit e kanë konfirmuar që çanta është e tij dhe ia kanë dërguar më pas mbrapa”, shtoi avokati i stilistit të njohur.
Stilisti Sahiti është i pajisur me pasaportë diplomatike që nga viti 2021, nën arsyetimin që si emër ka promovuar Kosovën në fushën e modës nëpër botë.