Avokati: Kosova s’ka zgjidhje veçse të mbrojë ligjet e saj, Serbia po përkëdhelet

Tensionet në veri të Kosovës vijojnë prej 3 ditësh. Dhunë, gaz lotsjellës përplasje të serbëve me policinë e Kosovës dhe KFOR-in është situata e këtyre ditëve që ka përfshirë Mitrovicën e Veriut. Gjithashtu si shkak i tensioneve të forta, janë sulmuar edhe grupet e xhirimit të gazetarëve teksa raportonin rreth situatës. Në News 24 avokati, Tom Gashi tha se qeveria e Kosovës nuk kishte zgjidhje tjetër veçse mbrojtjen e ligjeve të Kosovës.

Gjithashtu ai u shpreh se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk mund të lejonte që Veriu i Kosovës të kontrollohej nga bandat.

“Ndërkombëtarët ishin në dijeni dhe asnjë prej tyre nuk tha se Kosova nuk ka të drejtë të organizojë zgjedhje. Serbët të detyruar dhe të shantazhuar nga Lista Serbe nuk morën pjesë në zgjedhje. Kryetarët nuk janë të emëruar nga qeveria e Kosovës, por i fituan mandatet në zgjedhje të lira dhe duhet të ushtrojnë detyrën e tyre”, u shpreh ai. Gjithashtu avokati Gashi u shpreh se i bindur se flamujt e Kosovës, nuk duhet të hiqen nga veriu.

“Kryeministri Kurti e tha qartë se nuk do t’i dorëzojë grupeve kriminale godinat shtetërore. Nëse tërheqim Policinë e Kosovës, atëherë Veriu i Kosovës është në dorë të bandave të Vuçiçit, por kjo nuk do të ndodhë. Serbia po përkëdhelet. Pra duhet të shtrohet pyetja se kush i sulmoi ushtarët e KFOR-it. Tani ne duhet të durojmë presionin edhe ndërkombëtar që të ruajmë sovranitet sepse në të kundërt dihet se çfarë do të ndodhë. Lufta po bëhet nga serbët e dirigjuar nga Vuçiçi. Po t’u jepet autonomi territoriale nuk do të mund të qarkullojmë lirshëm, por do të lejonin krijimin e një minishteti serb në territorin e Kosovës, dhe bashkësia ndërkombëtare e ka përjetuar këtë, e ka një Republika Srpska në Bosnje, por ne nuk e duam një Bosnje tjetër”, ka thënë ai.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *