Babai i Arbër Çekaj u la në burg/ Avokati: Skandaloze nga një gjyqtar pa dinjitet, po luhet një aktivitet kriminal, ai s’di as anglisht

Një turp i një gjyqtari pa dinjitet! Kështu e ka cilësuar një prej avokatëve, Neshat Fana lënien në burg të babait të Arbër Çekajt, Selim Çekajt. Ai thotë se 72-vjeçari nuk është pronar i asaj sasie kokaine të gjendur në kontejnerin me banane. Ai është shprehur se pas kësaj qëndron një aktivitet kriminal që po përdor këtë familje për trafikun e tyre të kokainës.

“Absolutisht i padrejtë dhe haptazi i paligjshëm. Midis Selim Çekajt dhe kompanisë nga Ekuadori, ka një kontratë e cila në mënyrë eksplicite shkruan në nenin 7 që përgjegjësinë për kontejnerin nga Ekuadori deri në futjen në magazinë e mban shitësi.

Pronari i madh, pritësi i madh, ka të drejtë të kontaktojë me kontejnerin vetëm kur futet në magazinë dhe vetëm atëherë ka të drejtë ta hapi për të parë sasinë dhe cilësinë e mallit. Asnjë përgjegjësi tjetër nuk ka. Është e shkruar në kontratë. Nuk ka asnjë provë që ky person të jetë marrë me atë porosi. Të ketë një telefonatë.

Një njeri i nderuar gjithë jetën, 72 vjeç, mësues ka qenë, nuk di as anglisht, as spanjisht, si u lidh ai me trafikantët?! Me kë kontaktoi?! Me kë njerëz komunikoi?! Ai kontejner ka 2 muaj që vërtitet nga Ekuadori, në Marok, në Turqi, në Greqi. Iu kontrollua magazina ndërkohë që nuk u gjet asnjë trapano, asnjë vegël që do ta hapte.

Është një marrëzi. Këta janë gjyqtarë pa dinjitet profesional dhe moral. S’mund t‘i vësh një plaku me 100 sëmundje, me 12 ilaçe… Është një vendim skandaloz. Është një aktivitet kriminal që luhet diku tjetër, dhe është piketuar një kompani e pambrojtur nga mafia ndërkombëtare për t‘i hedhur ushqim shtetit për të kapur një sasi narkotikësh dhe për t‘u hapur rrugën sasive të tjera”, tha ai.

Selim Çekaj është babai i Arbër Çekajt, i cili gjithashtu është në qeli për kapjen e 613 kg kokainë në kontejnerin me banane që vinte nga Kolumbia në vitin 2018.

Ai u la sot në burg pasi në kontejnerin me banane të kompanisë së drejtuar prej tij u gjet 49 kg kokainë. Gjatë seancës gjyqësore 72-vjeçari nuk i ka pranuar akuzat, duke deklaruar se nuk kishte dijeni për sasinë e drogës së gjetur.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *