Babai i Mikhail Zorin: Djali im nuk ka lidhje me sigurim rus, ishte mbështetës i Navalny

Babai i studentit rus, i cili u arrestua pas sulmit të ndodhur në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh, ka deklaruar se djali nuk ka lidhje me sigurimin rus.

Yuri Zorin në një letër drejtuar News24, ka treguar me detaje jetën e të birit dhe udhëtimin turistik të ndërmarrë në Europë si pjesë e Urban Exploration, ku më pas është takuar me dy miqtë e tij, Svetlana dhe Fyodor.

Zorin mohon kategorikisht rekrutimin e djalit nga ndonjë shërbim special rus apo çdo shërbim tjetër teksa tregon se në janar kishte marrë pjesë në protestat e opozitës ruse si një ndër mbështetësit e Alexei Navalny.

Ai shprehet më tej i sigurt se gjithçka që ndodhi në fabrikën e armëve në qytetin e Gramshit është një keqkuptim monstruoz, ndoshta huliganizëm, por nuk mund të cilësohet në asnjë mënyrë si spiunazh.

Letra e plotë:

Vitin e kaluar, djali im, Mikhail Zorin, u diplomua në Universitetin Rus të Teknologjisë Kimike në Moskë dhe mori një diplomë bachelor. Ai mori një diplomë në teknologji kimike. Pas kësaj, Mikhail vendosi të vazhdojë studimet në Evropë. Në këtë drejtim, ai zgjodhi Pragën, ku studioi gjuhën çeke për një vit të tërë. Në qershor të këtij viti ai hyri në Shkollën e Lartë të Teknologjisë Kimike për të marrë magjistraturën atje.

Në korrik, Mikhail filloi pushimet e tij dhe ai vendosi të shkonte në një udhëtim në Evropë. Mikhail e do turizmin e paorganizuar, d.m.th kur udhëton vetëm. Si rregull, kjo është një biçikletë, një çantë shpine mbi supet dhe një tendë në bagazh. Ai planifikoi një udhëtim në Greqi nëpërmjet Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Deri më 17 gusht, ai udhëtoi vetëm, dhe më pas u takua me miqtë e tij, Svetlana dhe Fyodor. Ata vazhdjnë të udhëtojnë së bashku me makinë.

Mikhail është i interesuar në Urban Exploration (shkurtuar si urbex). Ky është një studim i objekteve industriale, pra pjesë e harruar ose e ndaluar e qytetërimit njerëzor. Si rregull, këto janë objekte industriale të braktisura, miniera, bunkerë etj. Ai mban një blog në rrjetet sociale dhe publikon fotot e tij atje. Me sa di unë, këtij komuniteti studiuesish i përkasin edhe miqtë e Mihailit. Shqipëria e tërhoqi Mikhailin me faktin se ka shumë objekte të tilla në territorin e saj, veçanërisht bunkerët e braktisur që u ndërtuan gjatë Luftës së Ftohtë.

Ne kemi një familje të lidhur ngushtë dhe ne të katër (gruaja ime, unë, djali im më i vogël dhe Mikhail) korrespondojmë vazhdimisht në mesazherin Telegram. Mesazhi i fundit nga Mikhail u mor më 20 gusht rreth orës 14:00. Na dërgoi një foto, tha se binte shi dhe ai dhe miqtë e tij ishin në makinë. Pas kësaj, Mikhail pushoi së komunikuari.

Mikhail ka mbajtur gjithmonë një pozicion aktiv qytetar dhe i është përmbajtur pikëpamjeve politike liberale. Ndërsa studionte në Moskë, ai mori pjesë në aksionet protestuese të opozitës ruse, ishte ndër mbështetësit e Alexei Navalny. Unë e di që për pjesëmarrjen në një demonstratë politike në mbështetje të Alexei Navalny më 31 janar 2021, e cila nuk ishte e autorizuar nga autoritetet, Mikhail iu nënshtrua një dënimi administrativ në formën e gjobës.

Kur filloi lufta në Ukrainë, djali im ishte në Pragë. Ai ngarkoi foto në mesazherin Telegram, të cilat kapnin aksionet masive kundër luftës që po zhvilloheshin në atë kohë në kryeqytetin çek.

Refuzoj absolutisht çdo insinuatë se djali im është rekrutuar nga ndonjë shërbim special rus, si dhe nga ndonjë shërbim special i ndonjë vendi tjetër. Vështirë se mund t’u interesonte, pasi është ende student dhe nuk pranohet për asnjë sekret. Ky është një i ri me pikëpamje ekskluzivisht pacifiste, i cili ende po ndërton jetën e tij dhe po përpiqet të marrë një arsim të denjë.

Sa për pasionin e tij për Eksplorimin Urban, ai është absolutisht i padëmshëm. Edhe pse njerëzit që dëgjojnë për herë të parë për një fenomen të tillë, mund të duket e çuditshme dhe madje e dyshimtë. Por ky është vetëm një hobi, megjithëse jo mjaft i zakonshëm për një njeri të zakonshëm në rrugë.

Sipas mendimit tim, Mikhail dhe miqtë e tij treguan një shkallë ekstreme të infantilitetit dhe nuk morën parasysh kontekstin e situatës aktuale politike. Nuk i di të gjitha rrethanat e asaj që ka ndodhur, informacionet i marr ekskluzivisht nga mjetet e informimit masiv. Por me profesion jam jurist. Dhe jam i sigurt se gjithçka që ndodhi në fabrikën e armëve në qytetin e Gramshit është një keqkuptim monstruoz, ndoshta huliganizëm, por nuk mund të cilësohet në asnjë mënyrë si spiunazh. /News24

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *