Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka caktuar të zhvillojë sot në orën 10:00 seancën gjyqësore në ngarkim të deputetit të PD Ervin Salianji, i pandehur në dosjen “Babalja”. Në shkallën e dytë kjo çështje do të shqyrtohet nga një treshe gjykuese me relator gjyqtaren Elona Toro dhe anëtarë gjyqtarët Iliba Bezati dhe Genti Shala.
Në Apel deputeti Salianji kundërshton dënimin me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Ndonëse u dënua me burg, ai nuk shkoi ne qeli, pasi u hetua dhe gjykua pa mase sigurie. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi.
Sipas Gjykatës së Tiranës, ish-deputeti Salianji dhe gazetari kanë inskenuar një audio-përgjim dhe akuza të rreme penale ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.