Një 29-vjeçare shqiptare në Selanik është dhunuar nga ish-bashkëshorti i saj në sy të fëmijëve.
Burime nga mediat greke bëjnë me dije se ngjarja është e përsëritur, me 38-vjeçarin, i cili është dënuar 8 herë më parë për dhunë në familje, por është lënë sërish i lirë.
Raportohet se gruaja shqiptare ka shprehur ankthin e saj për mënyrën sesi do të përfundojë kjo histori. Sipas saj, ish-bashkëshorti me të cilin është divorcuar që nga marsi i vitit 2021, vazhdon t’i afrohet, kërcënojë dhe rrahë edhe pse ajo ka ngritur akuza ndaj tij.
Fotot e publikuara nga protothema.gr tregojnë shenjat në fytyrë dhe qafë të gruas, nga dhuna e 38-vjeçarit. Ky i fundit ka goditur ish-gruan e tij përballë dy fëmijëve të tyre të mitur, 4 dhe 8-vjeç.
“Në orën 07:50 të datës 26 gusht 2022, ai më ka telefonuar në celular ndërsa isha në Kalochori dhe tha ‘po vij të të gjej, do të të sqaroj unë’. Ai nuk arriti të më gjente pasi nuk e di se ku ndodhej puna ime, përveç se është në Kalochori. Rreth orës 20:10 ai hyri në shtëpinë time dhe i ra ziles duke këmbëngulur dhe deshi të ngjitej lart. Megjithatë fëmijët tanë ishin larg në festën e një miku. Menjëherë thirra policinë dhe sapo pa patrullën ai iku. Veprimet e tij më shkaktuan frikë dhe terror. Frikësohem për jetën time dhe kërkoj ndjekjen penale të tij, si dhe të ndalet kjo situatë e sëmurë”, shprehet ajo në dëshminë e dhënë për policinë.
“Kam shumë frikë, nuk dua të jem një grua tjetër që mund të vritet nga ish-bashkëshorti nesër. Kam dy fëmijë për të rritur. Motra dhe djali im i madh, i cili në atë kohë ishte 6 vjeç, më kanë shpëtuar jetën dy herë. Pikërisht atëherë më kapi nga qafa dhe më tha “do të bëj skulpturë”. Djali im i madh qante dhe i thoshte “Babi lëre mamin” dhe është ai që më ka shpëtuar shumë herë”, është shprehur e reja.