Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Beograd pasditen e sotme ku do të zhvillohet dhe samiti në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.
Delegacioni shqiptar është pritur me një ceremoni zyrtare në aeroportin e Beogradit. Mediat serbe kanë publikuar foto të kryeministrit Rama i cili takohet me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakoviç.
Kreu i qeverisë shoqërohet nga Ardian Çela, Odeta Barbullushi dhe minister Edona Bilali dhe Bora Muzhaqi. Kryeministri Rama nesër pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov.
Takimit të tre liderëve në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur” do t’i paraprijë një takim me përfaqësues të kompanive nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, si dhe me përfaqësues të Këshillit Atlantik.
Pas takimeve dhe bisedimeve, liderët e tre shteteve do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp. Paraprakisht, zëvendëskryeministri maqedonas, Dimitrov është pritur në aeroportin e Beogradit, “Nikola Tesla” nga ministrja serbe për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq.
Në një prononcim për Tanjug, Dimitrov tha se Maqedonia e Veriut, përkundër dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev pas zgjedhjeve lokale, është plotësisht e përkushtuar ndaj iniciativës “Ballkani i Hapur”.
“Po vij në kohën kur siç e dini kanë përfunduar zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë lënë pasoja, madje në një farë mënyre krizë politike. Është e rëndësishme që ne si shtet të dërgojmë një sinjal si shtet dhe qeveria, plotësisht të përkushtuar ndaj iniciativës që lindi në Ballkan dhe që synon mbi të gjitha Ballkanin Evropian”, tha Dimitrov.
Presidenti Aleksandar Vuçiç sonte do të përgatisë një darkë për Ramën dhe Dimitrovin, ku duhet të marrë pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, i cili po përfundon vizitën zyrtare në Serbi.
Vuçiç, Rama dhe Dimitrov nesër fillimisht në Pallatin e Serbisë do të bisedojnë me përfaqësuesit e kompanive nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, e më pas me përfaqësuesit e Këshillit Atlantik. Më pas do të mbahet një konferencë e përbashkët për mediat për Vuçiçin, Ramën dhe Dimitrovin.
Nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Muhamed Zekiri, deklaroi sot se koha do të tregojë nëse iniciativa e “Ballkanit të Hapur” do të rrezikohet pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev.
“Në vend të kryeministrit Zaev, sot në Beograd Maqedoninë e përfaqëson zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov. Këtë iniciativë e kanë nisur tre liderë (Aleksandar Vuçiq. Edi Rama, Zoran Zaev). Koha do të tregojë se sa do të rrezikohet, por të gjithë e dinë se çfarë do të thotë dorëheqja e Zaev”, tha ai.
/Priza.al/