Kreu i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla është takuar me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Balla në ‘Facebook’ shkruan se në këtë takim është kërkuar që Maqedonia të mbështesë rezolutën e Dick Martyt në lidhje me trafikimin e organeve në Kosovë dhe Shqipëri.
Balla thekson se Shqipëria do të qëndrojë e palëkundur ndaj drejtësisë dhe synimit për të zbuluar të vërtetën.
Postimi i plotë:
Shkup?Takim me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
E njohëm kryediplomatin e Maqedonisë së Veriut me faktin se Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë. I kërkojmë Maqedonisë së Veriut dhe delegacionit të saj në APKiE të mbështesë këtë démarche në dobi të qartësimit të së vërtetës përkundrejt shpifjeve dhe të pavërtetave në raportin që frymëzoi atë Rezolutë në vitin 2011.
Shqipëria shpreh vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.