Klevis Balliu, sekretar organizativ i PD, në protestën që u zhvillua sot përpara bashkisë së Tiranës u kërkoi policëve që të bashkohen me tubimin kundër bashkisë dhe qeverisë.
“Përshëndetje qendrestarë! Erion, jo me antiplumb, po dhe me antitank po të lëvizësh, nuk i shpëton dot qendrestarëve! Kjo vemja e bashkisë, ky mashtrues që gëzohet e lumturohet se shkatërron shtëpitë e qytetarëve siç ka bërë ën fund të bulevardit, siç po bëhet te Lana, siç ka bërë te Unaza, kudo në Tiranë, që shkatërronte pallate shtëpitë e qytetarëve që të ndërtonte, siç ka bërë në Kombinat që të ndërtonte me 5D dhe me ordinerët që mbante si drejtorë për të mbushur xhepat, do të marrë atë që meriton një më një dhe po s’ta dha Dumani, ta japim ne!
Jemi të rrethuar nga hajdutët! Hajdutë në bashki, hajdutë në ministri, hajdutë në qeveri, hajdutë në parlament! Veliaj, mashtruesi që shpiku Griseldën, mashtruesi që bashkëpunon me Ndraghetën, që është shërbëtori i saj numër 1, pastrues i parave të drogës, vetëm një mesazh i themi: “Kunetërit e tu nuk të mbrojnë dot, jep dorëheqjen! Mos na detyro të të kapim prej leckash e të flakim në rrugë!” Rroftë Tirana! Rroftë qytetarët e Tiranës!” tha ai.