Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se me projektin “Ballkani i Hapur” ai synon ta shndërrojë Shqipërinë vend vasal të Beogradit dhe ta bëjë pjesë të Jugosllavisë së Vjetër.
Gjatë një takimi me banorët e Ersekës, Berisha vuri theksin tek interesi kombëtar dhe tha se gjendemi në një moment kritik, duke shtuar se vendet patriotike i zhvillojnë vendet e tyre.
“Tragjike është se sot me efekte shkatërrimtare për Kolonjën dhe Shqipërinë, ai që është sot në Tiranë po bën gjithçka me ‘Ballkanin e Hapur’ për të ndryshuar siç thotë Vuçiçi, Jugosllavi e vjetër plus Shqipëri. Ndodhemi në një moment kritik. E di se jo të paktë janë ata që thonë kemi halle më të mëdha se kaq. Kjo nuk është e drejtë, për çdo njeri të qytetëruar nuk ka interes më jetik se ai kombëtar. Ata që e shkëputën Shqipërinë dhe e bënë të pavarur e bënë nga dashuria. Shqipëria do të eci vetëm nëse e duam dhe fëmijët tanë do të jenë zotër të vendit nëse i mëkojmë me këtë. Vetëm vende patriotike zhvillojnë vendet e tyre. Nuk e do kombin ai që do ta kthejë vasal të një shteti tjetër”, tha Berisha.