Zv/ kryeministrja Belinda Balluku deklaroi sot se këtë vit nis puna për zgjerimin e aksit Tiranë-Durrës. Theksoi se në të dyja anët e këtij aksi do të ketë shtim të një korsie si dhe korsinë e emergjencës.
“Planet tona për vitin e ardhshëm janë shumë të rëndësishme. Do të nisim menjëherë nga puna këtë vit për zgjerimin e aksit Tiranë-Durrës, një aks shumë i rëndësishëm i cili sot mban peshën kryesore të trafikut, por duke pasur parasysh ndërtimin e akseve të tjera pra Thuman –Kasharit dhe më pas Kashar-Lekaj një pjesë e mirë e trafikut do të largohet nga kjo autostradë për tu drejtuar në Koridorin Blu drejt Rrogozhinës.
Por duke pasur parasysh ndërtimin e ballinës ujore të Durrësit që tashmë është nisur nga puna duket edhe gjithë ecuria që kemi aty për plazhin e ri që po krijohet dhe nga ana tjetër ndërtimi i Porto Romanos ku me gjasë do të kemi edhe një bazë të NATO-s do të kërkojnë që aksi Tiranë-Durrës të jetë një aks i parametrave të rinj kështu që në të dyja anët e këtij aksi do të ketë shtim të një korsie plus korsinë e emergjencës duke e kaluar kështu në një kategori më të lartë të kritereve të autostradave të Bashkimit Europian” tha ministrja.