Balluku ndan lajmin: Pensionistët marrin në shtator bonusin e dytë

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka zgjedhur të japë nga Dibra lajmin se pensionistët do të përfitojnë bonusin e dytë në muajin shtator. Ajo zhvilloi një takim me këtë pjesë të popullsisë së këtij qyteti.

Balluku theksoi se paratë e bonusit janë siguruar nga taksa e jashtëzakonshme nga prodhuesit energjisë. 650 mijë pensionistë që do përfitojnë këtë bonus.

“Ne vitin e kaluar kemi indeksuar pensionin me 9.5%. Do ketë një indeksim të ri të  pensioneve në fund të shtatorit të këtij viti në bazë të inflacionit që do ketë viti në vazhdim.

Të ardhurat prej 4.1 miliardë që janë mbledhur nga taksa e jashtëzakonshëm e energjisë, është vendosur që të shpërndahen tek pensionistë me bonus prej 5 mijë lekë shtesë. Do merrni dhe këstin e dytë, që ka të njëjtën vlerë, gjatë vitit, dhe më pas në shtator, në shtator përveç indeksimit, do të merrni edhe pjesën e bonusin që vjen nga pjesa e dyte e taksimit të jashtëzakonshëm” – tha Balluku.

Fjala e plotë:

Ky është një moment shumë i rëndësishëm duke qenë se ne kemi bërë një program përsa i përket rritjes së pagave të administratës, e cila do të arrijë në 900 euro në këto dy vite duke nisur një herë nga profesionet më esenciale siç janë mjekët, infermierët, mësuesit, zjarrfikësit etj dhe për të vazhduar pastaj me të gjithë kaskadën e administratës.

Gjatë vitit të kaluar ne kemi indeksuar pensionin me 9.5%, pavarësisht se gjithë inflacioni u konsiderua jo më shumë se 7%, Qeveria Shqiptare mori vendimin që pensioni juaj të indeksohej me 9.5%. Do ketë një indeksim të ri të pensionit në fund të muajit shtator të këtij viti, në bazë të inflacionit që do ketë viti në vazhdim. Në fillim të vitit të kaluar ne deklaruam që të ardhurat e shtuara nga prodhimi i energjisë për disa subjekte private që fituan për shkak të luftës më shumë, të gjitha ato të ardhura që shteti do të mblidhte do ti jepeshin pensionistëve.

Pastaj nëse ju kujtohet patëm dhe vizitën e Presidentes së Komisionit Europian këtu në Shqipëri, Ursula von der Leyen e cila tha të njëjtën gjë, që të gjithë vendet e Bashkimit Europian duhet të vjelin taksën e jashtëzakonshme nga të ardhurat e papritura për shkak të luftës dhe t’ja shpërndajnë grupeve në nevojë.Qeveria Shqiptare vendosi që grupi në nevojë padyshim janë pensionistët, 650 mijë pensionistë. Për këtë arsye të ardhurat që kemi mbledhur, 4.1 miliardë lekë që janë mbledhur gjatë muajit mars nga taksa e jashtëzakonshme e energjisë, është vendosur nga Qeveria Shqiptare që ti shpërndahen pensionistëve në formën e një bonusi me 5 mijë lekë. Kështu që të gjithë ata që e kanë marrë pensionin, unë nuk e di nëse keni rritur të gjithë ta merrni, besoj që e dini që keni marrë 5 mijë lekë shtesë që kanë ardhur nga taksa e jashtëzakonshme. Dhe do merrni këstin e dytë, pasi kësti i dytë i kësaj takse që ka të njëjtën vlerë, e kemi ndarë në dy pjesë, gjatë vitit për gjashtë mujorin e parë në fund të marsin dhe më pas në shtator. Në shtator përveç indeksimit që do të ndodhë për shkak të inflacionit në pensionin tuaj do të merrni edhe pjesën tjetër të bonusit, edhe një 5 mijë lekësh tjetër shtesë që vjen sërish nga pjesa e dytë e taksimit të jashtëzakonshëm.

Është në politikën tonë, është në programin tonë që të kujdesemi për ju, pasi ju keni kontribuar për zhvillimin e Shqipërisë, por nga ana tjetër e keni kaluar jetën tuaj në kohët më të vështira. Në kohët më të vështira përsa i përket regjimit përpara demokracisë, por nga ana tjetër edhe në periudhën e tranzicionit që nuk ka qenë një periudhë e lehtë për askënd. Kështu që kujdesi është maksimal për të gjithë pensionistët. Vëmendja e Qeverisë Shqiptare është tek ju. Unë e di që ne duhet të bëjmë më shumë dhe ne do të bëjmë më shumë, por në të vërtetë unë ndihem krenare që të ardhurat nga taksa e jashtëzakonshme e energjisë dhe e gjithë përpjekja që ne kemi bërë si Ministri e Infrastrukturës dhe Energjisë u vendos që të shkonin tek ju, pasi kjo na bën dhe ne që kemi punuar gjatë gjithë një viti të vështirë të ndikuar nga lufta e Ukrainës që të ndihemi të qetë që të paktën ato të ardhura shkuan në vendin e duhur aty ku e meritojnë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *