Departamenti i Emigracionit i Turqisë ka raportuar se 45 refugjatë do të dëbohen nga vendi për shkak të videove që konsiderohen “provokuese” të transmetuara në mediat sociale.
“Ata janë transferuar në qendrat e dëbimit dhe aktualisht janë nën mbikëqyrje administrative”, thuhet në një deklaratë të Departamentit që nuk i referohet kombësisë së personave që do të deportohen.
Refugjatët e arrestuar janë identifikuar si autorë të postimeve në rrjetet sociale në të cilat bëhej ironi për një shtetas turk që akuzonte emigrantët sirianë – në fakt – se jetonin në luks, ndërsa turqit vuajnë nga vështirësitë ekonomike.
Veçanërisht, në fund të tetorit u bë virale një video në të cilën shihet një shtetas turk duke kritikuar një refugjat sirian në treg teksa blinte banane.
“Unë nuk mund të përballoj as një, por ju mund të blini një kilogram banane!” është shprehur burri duke akuzuar vajzën.
Si reagim ndaj ngjarjes, në rrjetet sociale u publikuan video të shumta të refugjatëve sirianë duke bërë shaka me incidentin duke i portretizuar ata teksa hanin banane.