Grupi famëkeq i shqiptarëve “Hellbanianz” është bërë sërish protagonist në mediat britanike, pas denoncimit të një banoreje se po terrorizojnë lagjen në Barking.
Gruaja, duke folur për mediat britanike, ka rrëfyer se banorët e lagjes ku qëndrojnë anëtarët e bandës shqiptare të drogës po terrorizohen qëllimisht.
O’Doherty thotë se është e frikshme për një femër si ajo, që jeton e vetme, ndërsa tregon se si i është rrezikuar jeta njëherë.
“Unë isha shtrirë kur në mes të natës qeni nisi të lehte. Hapa derën dhe pashë disa policë të armatosur, me qentë e tyre që lehnin gjithashtu. Më drejtuan pistoletat me lazera dhe më thirrën “futu brenda!”. Ishte tmerruese mund të më kishin qëlluar”, ka treguar ajo për MyLondon.
O’Doherty ka thënë se shpesh gjatë natës dëgjon anëtarët e “Hellbanianz” teksa bërtasin, vendosin muzikë me zë të lartë në makië ose bëjnë muhabet me zë të lartë gjatë natës.
“Ata kanë pushtuar lagjen. S’kam parë kurrë në jetën time diçka të tillë”, thotë ajo.
O’Doherty thotë se banda shfrytëzon pronat në zonë për aktivitet kriminal. “Një ditë gjeta një thikë të madhe pranë banesë time. Njoftova policinë dhe erdhën e morën. Këtu sensi i jetës në komunitet nuk ekziston më”, shprehet ajo.