Për menaxherin e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri Emanuel Salinas modeli ekonomik i vendit ka nevojë për transformim, duke u orientuar nga eksportet dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe jo nga sektori i ndërtimit dhe konsumit.
Gjatë fjalës përshëndetëse të mbajtur në workshopin “Inxhinieria e qëndrueshme në 360 gradë” e zhvilluar në Tiranë nga Italian Trade Agency (ITA) në bashkëpunim me Shoqatën e Inxhinierisë, Arkitekturës dhe Konsulencës Teknike- Ekonomike në Itali (OICE), teksa vlerësoi pozitivisht trendin rritës të ekonomisë dhe uljes së varfërisë, theksoi se Shqipërisë i nevojitet një modeli i ri ekonomik për të shtuar produktivitetin dhe vendet e punës.
“Nëse do të shihni përbërjen e GDP-së, peshën kryesore e zë sektori i ndërtimit dhe konsumi.
Që Shqipëria të zhvendoset nga niveli i mesëm në nivelin e lartë të të ardhurave për frymë, duhet të ndodhë një transformim. Duhet të zhvendoset nga pagat e ulëta dhe produktiviteti i ulët, te prodhimi me vlerë të shtuar më të lartë dhe më i orientuar nga eksportet.
Fokusi duhet të jetë në shfrytëzimin e burimeve natyrore për rritjen e produktivitetit dhe të investimeve. Pra që të ndodhë transformimi nga ndërtimi dhe konsumi, ekonomia duhet të orientohet drejt rritjes së eksporteve”.
Menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri Emanuel Salinas u ndal edhe te problematika e fuqisë punëtore, ku sipas tij në bashkëpunim me qeverinë po punohet për rritjen e cilësisë së edukimit të të rinjve dhe në sektorin shëndetësor.