Huamarrja e bankave tregtare nga Banka e Shqipërisë është rritur ndjeshëm gjatë muajve të verës.
Statistikat e bankës qendrore tregojnë se në fund të muajit gusht, vlera e huasë nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes u rrit për të tretin muaj radhazi arriti në 46 miliardë lekë. Vlera e huasë për bankat në bilancin e BSH-së është rritur me 13.3% krahasuar me korrikun dhe me 39% krahasuar me fundin e muajit maj. Ky është niveli më i lartë i huamarrjes së bankave tregtare nga Banka e Shqipërisë në tre vitet e fundit dhe më i larti pas shpërthimit të pandemisë.
Huamarrja e bankave në Bankën e Shqipërisë zakonisht aplikohet nëpërmjet instrumentit të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes (REPO), ndërsa instrumentet e tjera, si për shembull kredia njëditore, kanë një përdorim më të rrallë. Rritja e huamarrjes nga banka qendrore përmes instrumenteve javore tregon në thelb një nevojë më të lartë për likuiditet afatshkurtër në sektorin bankar. Shpesh, rritja e vlerës së REPO-ve lidhet me datat e zhvillimit të ankandeve të bonove apo obligacioneve nga Ministria e Financave. Për shkak të mospërputhjes ditore mes maturimit të instrumenteve ekzistues dhe instrumenteve të reja që emetohen, bankat mund ta mbushin boshllëkun disa ditor që krijohet në likuiditetin e tyre nëpërmjet huamarrjes nga Banka e Shqipërisë.
Sipas ekspertëve, rritja mund të lidhet gjithashtu edhe me nevoja kalimtare për likuiditet të bankave të veçanta të sistemit. Gjatë verës, ekziston gjithashtu një tendencë sezonale për rritje të sasisë së parasë jashtë bankave, e lidhur kjo me tërheqjet e cash për nevoja të pushimeve. Pas pandemisë, furnizimi me likuiditet i bankave është lehtësuar edhe nga ndryshimet rregullatore të aplikuara nga Banka e Shqipërisë,
Në muajin mars 2020, Banka e Shqipërisë uli normën e interesit të REPO-ve njëjavore në minimumin e ri historik prej 0.5%, si edhe ndryshoi formën e marrëveshjeve, nga ankand me shumë të fiksuar në ankand me çmim uniform. Ndryshimi i formës së ankandit u bë me qëllim për t’iu siguruar bankave akses të pakufizuar në likuiditet. Vendimi u mor në vijim të shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive, çka supozohej se do të krijonte një nevojë më të lartë për likuiditet nga bankat tregtare, për shkak të shtyrjes së arkëtimeve. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka bërë të ditur se stimuli monetar në formën aktuale të injektimit të likuiditetit me çmim fiks dhe sasi të pakufizuara do të vazhdojë të paktën deri në fund të tremujorit të tretë të këtij viti.