Bankat ulën vlerën e investimit në borxhin e qeverisë gjatë tremujorit të dytë

Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm ra me 1.1 miliardë Lekë në tremujorin e dytë.

Sipas analizë së Bankës së Shqipërisë, rënia e huamarrjes neto të brendshme, ndonëse jo aq e theksuar sa në fundin e tremujorit të parë, ka pasqyruar si hezitimin e përkohshëm të bankave për të investuar në tituj qeveritarë, kryesisht në ata afatgjatë, ashtu edhe kërkesën më të ulët të sektorit publik për mjete monetare në këtë periudhë. Portofoli i titujve të zotëruar prej bankave gjatë tremujorit të dytë u pakësua me 3.6 miliardë Lekë.

Nga ana tjetër, institucionet financiare jobanka kanë kompensuar “mungesën” e bankave në blerjen e titujve qeveritarë. Për të gjithë 6-mujorin e parë të vitit, institucionet e tjera financiare kanë shtuar me rreth 8.7 miliardë Lekë sasinë e titujve qeveritarë në zotërim. Gjatë së njëjtës periudhë, edhe individët i kanë ulur me rreth 2.7 miliardë Lekë blerjet e titujve të qeverisë.

Sipas ekspertëve, ulja e pjesëmarrjes së bankave në tregun primar të Bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare në tremujorin e dytë është e lidhur kryesisht me ciklin e rritjes së shpejtë të normave të interesit. Duke parë tendencën e shpejtë rritëse të yield-eve, disa investitorë kanë preferuar të presin, me qëllim investimin në instrumente me kthime më të lartë në të ardhmen e afërt. Kjo ka rezultuar në një kërkesë më të vogël në disa prej ankandeve të emetimit të Bonove dhe Obligacioneve gjatë muajve të fundit.

Sektori bankar është financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit qershor bankat kishin në bilancet e tyre 482 miliardë Lekë në letra me vlerë të qeverisë shqiptare. Kjo shifër ishte afërsisht sa 35% e stokut të borxhit të brendshëm në mesin e vitit 2022.

Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, edhe huamarrja neto e qeverisë në tregun e huaj u reduktua me 1.3 miliardë lekë në tremujorin e dytë, si pasojë e shërbimit të borxhit në vlerë më të lartë sesa disbursimet e fondeve nga jashtë. Për gjashtëmujorin e parë, huamarrja e huaj neto rezultoi -2 miliardë lekë. Likuiditeti i qeverisë nga ana tjetër vijon të jetë mjaft i lartë, si pasojë e fondeve në valutë të transferuara nga viti 2021, kombinuar edhe me tepricat në lekë të krijuara gjatë këtij viti, si pasojë e rritjes së të ardhurave dhe mosrealizimit në të njëjtën shpejtësi të shpenzimeve buxhetore.

Balanca buxhetore në fund të gjysmës së parë të vitit ishte pozitive, në rreth 16.1 miliardë lekë, e vlerësuar në rreth 1.5% të PBB-së. Vlerat e larta për suficitin buxhetor gjatë këtij viti reflektojnë nga njëra anë dinamikën e të ardhurave dhe nga ana tjetër ecurinë e ngadaltë të shpenzimeve buxhetore. Për vitin 2022, qeveria shqiptare ka planifikuar një deficit prej 110 miliardë Lekësh, që pritet të shpenzohet kryesisht në gjysmën e dytë të vitit dhe nënkupton një kontribut më pozitiv të sektorit fiskal në kërkesën agregate dhe në rritjen ekonomike./ E.Shehu


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *