Kryetarit të Bashkisë së Matit, Agron Malaj do t’i duhet të përballet me drejtësinë, teksa një muaj para zgjedhjeve lokale të 14 Majit ku kandidon sërish me siglën e Partisë Socialiste.
Janë banorët e fshatit Madhesh ata që kanë depozituar në SPAK kërkesë-padinë kundrejt kryebashkiakut, ku e akuzojnë për shpërdorim detyre dhe përftim të paligjshëm të interesave publik.
Në akuzë parashtrohen fakte se një kompani me lidhje të ngushta me Agron Malajt ushtron veprimtari të paligjshme nga 2017 në vazhdim në HEC-et e Madheshit, në lumin e Lundrës.
Së bashku me kryebashkiakun Malaj ata akuzojnë edhe vëllain e tij, Fatos Malaj, si administrator i kompanisë “A.R.M-Albania”.
Në akt-akuzë mes të tjerash parashikohet edhe fakti se si Malaj ka falsifikuar firmat, si dhe ka zhvatur banorët nga uji dhe prona e tyre publike duke e përdorur për të furnizuar HEC-et e ndërtuara nga kompania e tij.