Barcelona duhet t’i bëjë mirë llogaritë, -200 milionë për pagat sezonin e ardhshëm.
Liga Spanjolle e Futbollit ka përditësuar kufijtë e pagave për çdo klub, me nivelin e grupit të parë që u ul nga 3.052 miliardë euro në 3.022 miliardë.
Ndryshimet, në raport me vlerat e muajit shtator, justifikohen kryesisht me dështimin e klubeve spanjolle në fazën e grupeve të Champions League dhe për rrjedhojë uljen e të ardhurave të pritshme.
Vetëm Reali i Madrid ka mundur të kualifikohet në fazën e 1/8-ave, kurse Barcelona dhe Sevilla përfunduan në Europa League dhe Atl. Madridi shkoi në shtëpi.
Për këtë arsye, “Los Colchoneros” e ndiejnë më shumë uljen e tavanit të pagave, pasi nga 341 milionë në vit zbresin në 315 milionë.
Barcelona (tani e ka tavanin 648 milionë) dhe Sevilla (191) mund të shpenzojnë 8 milionë më pak se parashikimi shtatorin e ardhshëm.
Real i Madridit është klubi që mund të shpenzojë më shumë, plot 683 milionë euro për pagat.
Barcelona, megjithatë, është në një situatë dramatike: këtë vit e rriti artificialisht nivelin e pagave falë rritjes së parashikimeve sa u përket të ardhurave.
Sezonin e ardhshëm, sipas Ligës, duhet ta ulë me plot 200 milionë euro nivelin e shpenzimeve për paga për të mos dështuar.