Gazment Bardhi nuk e njeh shkarkimin nga Kuvendi i Partisë Demokratike që u mbaj më 30 prill. I ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ Bardhi tha se nuk e njeh vendimin e marrë nga ky Kuvend dhe se është ende Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.
I pyetur se përse nuk shkon në zyrën e tij në selinë blu, Bardhi tha se ka respektuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë, ndonëse nuk është i ligjshëm.
“Nuk e njoh vendimin Kuvendit sa kohë s’ka pasur një kuvend të ligjshëm, për mua s’ka rëndësi asnjë titull, nuk kam hyrë kë politikë për tituj. Kam respektuar vendimin e gjykatës së shkallës parë edhe përse nuk është përfundimtar. Kjo ka bërë që jo vetëm unë por të gjithë kolegët, edhe pse vendimi nuk është final, të respektojmë atë realitet ligjor, sikundër sa kohë nuk ka marrë formë të prerë, vazhdoj të jem Sekretar i Përgjithshëm i PD-së. Alibeaj është drejtues i përkohshëm në përputhje me statutin e PD-së, për shkak të një akti të paparashikuar largimi pa lajmërim i kryetarit. E thotë statuti i partisë,”- tha Bardhi.