Bardhi mbledh nesër strukturat drejtuese, javë vendimtare për selinë blu

Humbja e thellë në zgjedhjet e 14 majit, që në shumicën e bashkive, e renditi PD-së forcë të tretë e në disa të tjera edhe të katërt, riktheu te demokratët e vulës, vëmendjen për analizën e brendshme dhe zgjedhjen e drejtuesit, proces i mbetur pezull që prej dorëheqjes së Lulzim Bashës gati një vit e gjysmë më parë.

Gazment Bardhi, i cili tashmë mban dy postet më të rëndësishme në parti pas kryetarit, atë të Sekretarit të Përgjithshëm dhe kreut të grupit parlamentar ka thirrur të hënën deputetët dhe më tej të martën kryesinë e PD, me qëllim, vlerësimin e situatës politike, e veçanërisht hapat që duhet të marrë PD në ringritjen e saj, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të ri.

Diskutimi kryesor pritet të jetë pikërisht hapja e garës për këtë të fundit në një kohë kur ekipi drejtues i PD është i ndarë në 2 qëndrime kryesore, i pari që PD të futet në garën për kryetarin sa më shpejt, duke vulosur përfundimisht ndarjen me PD e Rithemelimit, që vijon të drejtohet nga Sali Berisha edhe pse KQZ nuk e legjitimoi si kryetar.

Grupi tjetër, kërkon më shumë kohë për këtë proces, duke kërkuar fillimisht kohën e nevojshme të reflektimit dhe lënies hapësirë për të tjera negociata bashkimi me PD e Rithemeluar, e më tej drejtimin përmes një organi kolegjial të dy PD-ve deri në zgjedhjen e kreut të ri. Të tillë deputetë janë: Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Ferdinand Xhaferraj por edhe nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila ende nuk është shprehur nëse do të pranojë rolin e kryetares së komanduar.

Por, ky skenar duket i vështirë sa kohë asnjëra nga palët nuk po bën përpjekje konkrete për bashkimin, edhe pas humbjes së thellë më 14 maj, e kur Sali Berisha ka deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga drejtimi i demokratëve që e mbështesin.

Paralel me këto zhvillime Lulzim Basha ka nisur turin e rikthimit, me takime në çdo qytet, që shihet si fushata e tij për kthimin në krye të PD. Rikandidimin për kryetar ai nuk e mohuar asnjëherë, megjithatë ish kreu demokrat ka shqiptuar në çdo dalje të tij se PD nuk mund të mbetet peng i problemeve të Sali Berishës duke kërkuar ndarjen përfundimtare të demokratëve me ish-liderin e shpallur non grata nga SHBA.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *