Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka dalë kundër kandidaturës së Klomentina Drinit në Vaun e Dejës e cila garon nën siglën e PD-së.
Ai ka mbështetur haptas Zef Hilën kandidatin e koalicionit Meta-Berisha në Vaun e Dejës, duke e konsideruar si kandidat potencial për të marrë drejtimin e bashkisë në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në një takim me strukturat në Vaun e Dejës, ku i pranishëm ishte edhe Zef Hila, Bardhi siguroi të pranishmit se qëllimi i tij është që nga 14 maji bashkia të mos jetë më nën drejtimin e qeverisë. Deputeti theksoi më tej se me Zef Hilën kishte diskutuar edhe në vitin 2021 për kandidimin e tij në bashkinë e Vaut të Dejës.
“Ajo që dua të siguroj nga kryetari deri tek anëtari fundit në këtë sallë është se unë jam në krahun tuaj. Ajlo që ju doni, është që në 14 maj, Tom Doshi në 14 maj të dorëzojë çelësat e bashkisë së Vaut të Dejës që e ka marrë pa të drejtë në vitin 2019. Jam i vetëdijshëm që kandidatura është më potencial që kur ka dalë. Madje me Zefin kemi diskutuar që në 2021-shin”- u shpreh ai.
Me këtë veprim, Bardhi shpreh haptas kundërshtimin e tij ndaj kandidaturave të Alibeajt në bashki të ndryshme.
Në bashkinë e Vaut të Dejës, kandidatja zyrtare e PD-së është Kolmentina Drini, ndërsa përballë saj qëndrojnë edhe dy kandidatë të tjerë, Zef Hila i koalicionit Meta-Berisha dhe Kristian Shkreli i Partisë Socialiste.