Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar veprime konkrete për sigurinë e Kosovës, duke e cilësuar situatën e krijuar nga sulmet terroriste si një kërcënim për paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Sipas tij, këto sulme, të orkestruara nga Serbia dhe të frymëzuara nga Rusia, janë një alarm për sigurinë në të gjithë Europën.
Postimi i plotë i Bashës:
Kosova kërkon nga aleatët perëndimorë ta mbajnë Serbinë përgjegjëse për sulmin në kanalin e ujësjellësit
Sulmet terroriste në Kosovë, të orkestruara nga Serbia e të frymëzuara nga Rusia, janë kambana alarmi për paqen dhe stabilitetin e rajonit, si dhe për arkitekturën e sigurisë së NATO-s në të gjithë Europën. Ndërsa partnerët ndërkombëtarë të kombit tonë po kryejnë detyrën e tyre në funksion të përmbajtjes së këtij agresioni malinj, Shqipëria nuk mund të qëndrojë duarkryq kur cënohet siguria e Kosovës.
Prej 22 janarit të këtij viti kam depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një amandament për t’i garantuar 50 milionë euro ndihmë ushtarake Kosovës, i cili fatkeqësisht mbahet mbyllur në sirtaret e interesave të vogla e klienteliste të kësaj mazhorance. Sulmet terroriste të përsëritura në veri të Kosovës thërrasin për reflektim mbi dinamikën e re të sigurisë, e po ashtu janë një apel për veprime konkrete nga ana e Shqipërisë. Është koha që vendi ynë të flasë përmes veprave, duke investuar te siguria e Kosovës, që është garanci për sigurinë e gjithë rajonit.