Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua sot me demokratët në Kamëz, në vijim të garës brenda PD-së.
Basha foli sërish për zgjedhjet e 25 prillit dhe tha se detyra e PD-së para shqiptarëve nuk është thjesht mundja elektorale e kundërshtarit, por beteja për demokraci.
Fjala e Bashës në Kamëz:
Mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, demokrate e demokrat të Kamzës! Faleminderit për mikpritjen tuaj sot dhe më lejoni të shpreh kënaqësinë e madhe që ndodhem në mesin tuaj ndonëse në ditë dhe javë të vështira për Kamzën dhe Shqipërinë, për demokratët dhe mbarë shqiptarët dhe më lejoni me këtë radhë ta nis me një falënderim nga zemra për gjithsecilin prej jush!
Dhe për të gjithë demokratët dhe demokratet e Kamzës dhe mbështetësit tanë për fushatën e jashtëzakonshme, me të cilët ngritët peshë zemrat e qytetarëve tuaj, me të cilët marshuat përballë makinerisë më të poshtër të masakrës zgjedhore të 25 prillit dhe prapë se prapë nga kjo betejë dolët sikundër Kamza përherë ka dal me ballin lartë, me forcë, me kurajo, me moral dhe me numra të mëdhenj me të cilët dëshmuat edhe njëherë se jeni dhe mbeteni njerëz fisnik, me shpirt fisnik të gatshëm përherë për të mbrojtur vlerat elementare të shoqërisë, të Shqipërisë, të kombit, të gatshëm përherë për demokracinë dhe për lirinë.
Mirënjohje për ju, për familjet tuaja, për demokratët anembanë Kamzës! Vëllezër dhe motra, sot ndodhemi këtu në këtë takim jo në rrethanat që unë do kisha dëshiruar të ndodheshim. Por kjo nuk ka të bëjë me betejën e jashtëzakonshme që ju dhe demokratët dhe Partia Demokratike zhvilloi anembanë vendit.
Kjo nuk ka të bëjë me shqiptarët, të cilët kësaj beteje që ju i pritë me kurajën e zemrave tuaja, me pastërtinë e qëllimeve tona, me programin më të mirë të hartuar nga ekipet më të zota në 30 vite pluralizëm të Partisë Demokratike, burim i zgjidhjeve për problemet që së bashku kemi prekur katër vite me radhë cep më cep të Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë.
Një betejë të pabarabartë që e dinim që do të ishte e pabarabartë prej fillimit e pavarësisht prej ligjit apo Kodit Zgjedhor, por për shkak të një masakre zgjedhore i cili nuk është një togfjalësh dosido, por është katalogu i thyerjes së çdo rregulli të këtij shteti, është shprehja e rikthimit fiks 30 vjet më parë tek partia-shtet dhe tek shteti-parti por akoma më keq i infuzuar, i bashkuar me bandat e krimit dhe paratë e korrupsionit e të drogës.
Vëllezër dhe motra, Kamza është mësuar me beteja të pabarabarta. Ajo e ka zhvilluar ndër vite aftësinë për t’u përballur me një kundërshtar të egër sepse Kamza është jo ndër të parat, por e para që e provoi se Edi Rama nuk e njeh konceptin e kundërshtarit politik, për të çdo demokrate, çdo demokrat është është armik dhe çdokush që i mbështet demokratët dhe demokratët është armik.
Ai i ka shpallur luftë konceptit bazë të bashkëjetesës demokratike që është trajtimi i kundërshtarit brenda rregullave të garëse zgjedhore të bërë bërë nga rregullat të përballjes politike.
Dhe kjo luftë që i ka shpallur tani e 8 vjet kulmoi me procesin e 25 prillit i cili vetëm përfundoi me 25 prill. Por prej kohësh kishte vënë në lëvizje një makineri gjigande të dhunës, të terrorit, të shantazhit të blerjes së votave me të gjitha format e mënyrat, me para në dorë, me ndihmën sociale, me KEMP-in, me faturat e OSHE-së, me gjobat, me legalizimet për vota, me ndërtimet pa leje për vota, me presionin e drejtpërdrejtë ndaj të punësuarve në sektorin publik. Jo vetëm kaq por edhe me terrorin mbi sektorin privat, pra, me të gjitha format dhe mënyrat njësoj si një regjim.
Ndaj, sot jemi të mbledhur këtu si njerëz me përgjegjësi politike dhe me vetëdije politike. Këtu për t’ju mbajtur fjalime dhe retorikë, sepse ju nuk keni nevojë për fjalime dhe retorikë.
Gjithsecili prej jush mund të vijë këtu dhe të thotë fare qartë dhe fare shkurtë problemin, krizën e madhe që ka sot Shqipëria, gjithsecili prej jush mund të dalë këtu e të tregojë se çfarë ishte 25 prilli, jo dita por procesi i 25 prillit. Dhe gjithsecili prej jush disponon mençurinë politike dhe ka përvojën, përfshirë edhe të rinjtë, sprovën e përballjes politike për të kuptuar se kur themi regjim dhe masakër zgjedhore, po konstatojmë diçka jashtëzakonisht të rëndë për vendin. Po konstatojmë se me 25 prill, Shqipëria është futur në grupin e vendeve ku nuk ka demokraci, sepse demokraci do të thotë vullneti i shumicës përcakton parlamentin dhe qeverisjen.
Demokraci nuk do të thotë që një pakicë që ka kapur shtetin dhe që ka vënë në funksion të një grushti bandash dhe një grushti oligarkësh, të tjetërsojë vullnetin e shumicës.
Këtë ka bërë kjo pakicë më 25 prill dhe detyra jonë e parë dhe kryesore para shqiptarëve sot, njësoj si në ditët e para të lindjes së forcës tonë politike, nuk është thjeshtë dhe vetëm mundja elektorale e kundërshtarit, por është beteja për demokraci.
Me këtë vetëdije kam ardhur para jush sot duke e kuptuar fare mirë se ndodhem para burrave edhe grave që nuk kanë nevojë për shpjegime të gjata se çfarë do të thotë betejë për demokraci. Kundërshtari i ka përdorur të gjitha mjetet për ta asgjësuar të vetmin institucion zgjedhjet e lira e të ndershme, që qëndronte akoma si shpresë për ndryshim për shqiptarët.
E pra miqtë e mi, cila është detyra e Partisë Demokratike përballë regjimeve?
E kemi kryer këtë detyrë përpara shqiptarëve në vitin 91-92. Ju e dini fare mirë se 91-shi solli zgjedhje pas 50 vitesh diktaturë, por nuk solli zgjidhje.
Sot jemi në të njëjtën situatë. 2021 solli zgjedhje dhe një masakër zgjedhore, por nuk solli zgjidhje.
91-shi nuk na uli në gjunjë, na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm për tu organizuar, për të vazhduar betejën për hir të Shqipërisë dhe për hir të shqiptarëve.
As 2021 nuk na ka ulur në gjunjë përballë masakrës zgjedhore ne kemi qëndruar fuqishëm.
Njësoj si në 91-shin besuam deri në çastin e fundit se regjimi po merrte fund, por në fakt poshtërsitë dhe hilet çuan në këtë masakër dhe përmes kësaj masakre një diferencë që s’është as sa gjysma e fletëve të pavlefshme, produkt i prerjes së listave dhe heqjes së emrave të kandidatëve nga listat, nga fletët e votimit. Nuk është as sa gjysma ose është e barabartë me votat që mblodhi dhëndri dhe djali i një prej ortakëve të Edi Ramës.
Me këto mendon Edi Rama se do të mbajë pushtetin, me këto mendon se do t’i imponohet shqiptarët, me këto mendon se do të na ulë kokën ju, mua, Partisë Demokratike? Ai e di fare mirë që jo.”