Lulzim Basha, që e prezanton veten si kreu i Demokratëve Euroatlantikë ka prezantuar ofertën e tij politike për rininë shqiptare. “NextGen” është pjesë e programit për zgjedhjet e ardhshme, i cili parashikon trajnime dhe praktikë punë të paguar 1 vjeçare për të marrë një profesion per 10 mijë të rinj pas shkollës së mesme, për ata që nuk vazhdojnë universitetin, por edhe për studentë të sapo diplomuar, si urë lidhëse mes shkollës dhe tregut të punës. Basha shprehet se asnjë i ri dhe e re shqiptare nuk do të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike.
“Një komb që nuk garanton rininë vdes. Kombi shqiptar do të përparojë e do të zhvillohet përmes zhvillimit dhe përparimit të rinisë shqiptare. Asnjë i ri dhe e re shqiptare nuk do të mbetet pa studiuar, për shkak të pamundësive ekonomike të familjes së tij, apo të saj. 10 000 të rinj do të përfitojnë stazhe me pagesë pas përfundimit të shkollës së lartë, si një urë mes shkollës dhe tregut të punës. Angazhimi ynë është që rinia shqiptare të ketë të drejtën dhe mundësinë të arsimohet të marrë profesione konkurruese në një treg të zhvilluar dhe të garantojë një jetë të mirë për veten e tyre, familjet e tyre dhe mbarë shoqërinë” u shpreh Basha.