Deputeti i Partisë Demokratike ka përkujtuar 24 vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Basha shkruan se Hajdari do të mbetet në mendjen e çdo shqiptari si simbol i demokracisë.
“12 shtatori i 24 viteve më parë është gdhendur në kujtesën e çdo shqiptari e në veçanti të çdo demokrati, si dita kur u vra pabesisht një simbol i demokracisë. Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore, mishëroi me veprën e tij vullnetin e një populli të tërë për t’u përballur me diktaturën komuniste dhe për të sjellë ndryshimin e shumëpritur.
Përkushtimi dhe sakrifica e Azem Hajdarit kanë qenë dhe do të mbeten përherë burim frymëzimi për të gjitha brezat, sidomos për më të rinjtë, të cilët gjejnë te vepra e tij tiparet e kurajos qytetare, që përmes angazhimit vetmohues e kthen politikën në një mjet në shërbim të së mirës, që nuk i tutet as dhunës, as krimit dhe as korrupsionit.
Ndaj emri i tij do të kujtohet përherë me mirënjohje dhe krenari, si dëshmia më e bukur e dëshirës dhe energjisë së pandalshme të një populli për të luftuar për liri dhe për të ndërtuar nëpërmjet fryteve të saj një të ardhme më të mirë për Shqipërinë. I paharruar kujtimi i tij”, shkruan Basha