Kryedemokrati Basha ndodhet sot në Maqellarë të Dibrës, ku po zhvillon një takim me qytetarët. Basha tha se ndryshimi është shumë afër dhe i bëri thirrje të gjithëve që të bashkohen më 25 prill për ta votuar atë.
Ai tha se vota për Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ndryshim, shkon për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe rritjen e entuziazmit, punësimit dhe mirëqenies për shqiptarët.
“Asnjëherë nuk kam parë një Maqellarë të mbushur kaq plot. Plot shpresë, vendosmëri, kjo nuk është thjesht një ftesë mes nesh, por ftesë ndaj çdo dibrani, për t’iu bashkuar ndryshimit me 25 prill. Për t’iu bashkuar PD dhe Aleancës për Ndryshim në mënyrë që të gjithë së bashku të hapim rrugën e mirëqenies, rrugën e punësimit, rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Na ndajnë edhe pak ditë nga 25 prilli, këtë besim, entuziazëm për ndryshim ta çojmë deri më derë, në fshatin më të largët. Ta çojmë shtëpi më shtëpi, familje më familje, e të gjitha ata të vazhdojnë në rrugën e shpresës. Ata që për tetë vite me radhë u kërrusën, gjunjëzuan, e ulën besimin, për shkak të kësaj qeverie dhe kryeministri i themi që po afron ndryshimi. Maqellara fitoi, Dibra fitoi, Shqipëria fitoi”, tha Basha.