Kreu i PD, Sali Berisha në një bashkëbisedim me diasporën tha se vitin e kaluar, në rrafshin demografik, kemi një kthesë dramatike pasi për herë të parë vendi pati 3300 lindje më pak se vdekje.
Berisha u shpreh se shqiptarët po largohen dita-ditës nga vendi dhe se kombi po rrit fëmijë për emigracion.
“Nga viti 2007 deri në vitin 2014 pati lëvizje të popullatës, por popullata rritej çdo vit pa një politikë specifike demografike. Kurse pas viti 2014 pothuajse u rishfaqën eksodat e shqiptarëve. Por kësaj here për fatin më të keq të vendit, shtresa e mesme më së shumti. Viti që kaloi në rrafshin demografik është një kthesë dramatike. Për herë të parë vendi pati 3300 lindje më pak sesa vdekje. Kombi sot është shndërruar në një komb që rrit fëmijë për emigracion. Në një kohë kur ju e dini mirë potencialet e jashtëzakonshme që ka Shqipëria si rrallë ndonjë vend tjetër me resurset e saj.
Së treti nuk dua t’u bëj një analizë të hollësishme por do ndalem vetëm në diskursin e këtyre javëve në Shqipëri. PS përjashtoi këtë vit votën e lirë brenda saj. Kryetarët e degëve nuk votohen më nga anëtarësia, por nga Kryesia dhe Rama njësoj si dikur nga Byroja politike dhe Enver Hoxha. Unë vlerësoj angazhimin e diasporës dhe emigracionit. Duhet të braktisim idenë ç’më duhet mua. Duhet të marrin pjesë në betejë për të rikthyer votën e lirë në shoqërinë shqiptare”, tha ai.