Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur në lidhje me kallëzimin e bërë ndaj Autoritetit të Dosjeve që përmend Ilir Metën si bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit.
Gjatë një konference për mediat Meta bërë me dije se ditën e nesërme, avokati i tij do të paraqesë në prokurori kallëzime të reja për ato që ai i quan falsifikime idiote.
“Ju e dini që kemi të bëjmë me një falsifikim shumë të trashë dhe idiot të Edi Ramës dhe gjithë kukullave të tij tek autoriteti i manipulimit të dosjeve dhe në arkiva të tjera shtetërore. Falsifikimi është bërë evident e kam bërë kallëzim penal për anëtarët e këtij autoriteti që ia kam adresuar dhe SPAK.
Dje jam njoftuar nga SPAK që e kanë kaluar për kompetencë te Prokurorisë dhe hapi i dytë i imi ka qenë pajtimi apo zgjedhja e një avokati jo mbrojtës por sulmues, e ky është Genc Gjokutaj, sulmues se ne jemi në sulm, se jemi kallëzues, jo të kallëzuar për këtë çështje e nga nesër Gjokutaj do paraqitet në prokurori se kemi kallëzime të reja shtesë për falsifikimet e tjera idiote që kanë bërë këta duke shkelur ligjin e duke falsifikuar materiale ordinere.
Dekomunistizimi dhe denazifikmi i Shqipërisë fillon me shporrjen e Ramës dhe kukullave të tij, kudo që ndodhen me rivendosjen e shtetit të së drejtës, kushtetushmërisë dhe mbrojtjes së të drejtave themelore përfshirë dhe lirinë e medias e gazetarëve”, u shpreh Meta.