Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se në vitin 2023 Tirana do të jetë një kantier ndërtimi për të përfunduar shumë prej investimeve të nisura, ndërkohë që shumë të tjera po marrin jetë. Në një intervistë për mediat, Veliaj renditi investimet që janë parashikuar nga Bashkia e Tiranës për vitin e ardhshëm.
“Duam të përfundojmë disa nga veprat i konike të Tiranës: duam të përfundojmë Piramidën në pranverë dhe nisim punimet për Teatrin Kombëtar; duam të fillojmë punimet tek Kopshti Botanik, një tjetër projekt ikonik, i cili nuk mund të rrijë peng për kapriçon e disa pseudo-akademikëve të grup seksioneve të parties, teksa roja merr lekë për foto dasmash. Kopshti Botanik është një aset për gjithë qytetin, dhe si Kopshti Zoologjik përfiton qyteti, por ka përfituar edhe Universiteti Bujqësor dhe Veterinaria, që kanë akses te kafshët ekzotike. Do të fillojmë punimet për Terminalin Perëndimor te Kthesa e Kamzës, pasi i fituam të gjitha gjyqet, ndërkohë që tek TEG sapo ka mbaruar Terminali Lindor, po vendosim sinjalistikën dhe nisim shërbimet”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh optimist edhe për Unazën e Madhe të Tiranës. “Duam që të përfundojmë disa projekte shumë të rëndësishme, që i kemi në bashkëpunim me qeverinë, si Unaza e Madhe. Ne humbëm shumë kohë me Astirin, tre vjet kohë. Ne e kemi projektin të përbashkët, pra qeveria bën aksin kryesor, ne bëjmë degëzimet dhe infrastrukturën nëpër lagje, por nuk mund të fillojmë degët pa pasur trungun. Kërkojmë bashkëpunim që, sidomos për Unazën që kalon nga sheshi ‘Shqiponja’ në drejtim të Paskuqanit, përshkon Paskuqanin dhe rikthehet te Bregu i Lumit, për të kaluar Tufinën e për t’u lidhur në Shkozë, aty ku është 2/3 e Unazës, janë projekte që patjetër që duhet të përfundojnë vitin tjetër”, tha ai.
Një vend të veçantë në investimet e Bashkisë së Tiranës zënë edhe shkollat e reja. “Buqeta e fundit e shkollave të Tiranës, që janë shkollat në zonën e Astirit e Yzberishtit, pra aty ku do kalojë projekti i zgjatimit të Lanës nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar, në të dy anët duam të investojmë nga dy shkolla secila, për të mos i ndarë lagjet, por secila të ketë shkollën e vet. Do të fillojë një shkollë e re te Kopshti botanik, Liqeni i Thatë dhe dy shkolla të tjera në Sauk, aty ku është edhe kampusi i madh i Akademisë së Policisë që njihet. Kjo është buqeta e fundit e shkollave dhe do jenë ndoshta të parat zgjedhje ku nuk do diskutojmë më shkollat me dy turne, se ose janë bërë, ose janë duke u përfunduar shkollat e fundit, që zgjidhin këtë ngërç për një Tiranë të stërmadhe, ku çiftet e reja dhe fëmijët janë ata që kanë pasur prioritet si për strehim, si për shërbim çerdhe, kopshte, shkolla”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.