Një nga shkeljet më të shpeshta që kryhet nga zyrtarë të institucioneve qendrorë dhe lokalë, ku këtyre të fundit i sjellin edhe përfitime monetare janë abuzimet me tenderat.
Por, gjatë muajve të fundit, duket se Struktura antikorrupsion ka piketuar pikërisht tenderët abuziv që përfitohen, duke shkelur procedurën me qëllim goditjen e korrupsionit.
Mediat kanë mësuar se SPAK-u ka në dorë rreth 65 tenderë, ku janë duke u kryer hetime për mënyrën se si janë fituar. Burime nga institucioni bënë të ditur se, gjatë hetimeve në këto tenderë janë konstatuar shkelje në fushën e prokurimeve publike, si përgatitja e dokumentacionit, hartimi i specifikimeve teknike, përzgjedhja e procedurës, vlera e kontratës, si dhe shqyrtimi i ofertave në garë.
Ndërkohë, jo zyrtarisht media ka mësuar se numri i dosjeve me abuzimet me tenderë mund të rritet, pasi përveç atyre që janë regjistruar penalisht, ky institucion ka në dorë edhe dhjetëra kallëzime të tjera nga ana e kompanive humbëse, të cilat kanë denoncuar pasi sipas tyre nuk ka pasur barazi në zhvillimin e procedurës tenderuese.
Pra numri i zyrtarëve të lartë për shkelje në tenderë, përveç Tushës, Gëllçit, Naqellarit, mund të rritet edhe më shumë. Përsa i përket tenderëve që SPAK ka nën hetim, ato janë të shumta pothuajse në të gjithë vendit, duke filluar nga Tirana e deri më Ersekë.
Burime nga Prokuroria e Posaçme bëjnë të ditur se, dosje tenderimi janë sekuestruar në Ministrinë e Shëndetësisë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në bashkinë e Fierit janë nën lupën e SPAK-ut.
Po ashtu, edhe disa tenderë, ku në këtë bashki hetimet nisen pas denoncimit të deputetit Petro Koçi, se në këtë qytet tenderët fitoheshin nga krimi i organizuar.
Por pas nuk mbetet as bashkia e Kolonjës, ku sipas informacioneve edhe atje janë duke u hetuar disa prokurime publike që dyshohet se ka pasur shkelje. Gjithashtu mësohet se në lupën e SPAK, janë vënë edhe disa dosje tenderuese të bashkisë së Tiranës.
Një tjetër tender nën hetim sipas informacioneve ka të bëjë me blerjet e mishit për institucionin e Qarkut Tiranë, me vlerë totale 35 milion lekë, e ndarë në dy lote. Gjithashtu, SPAK është duke hetuar edhe tenderin për shërbimin e lavanterisë në QSUT-ë, me vlerë 9.2 milion euro.
SPAK është vënë në lëvizje për hetimin e këtyre tenderëve pas kallëzimeve që ka marrë nga kompanitë humbëse. Por, nuk ka munguar rastet kur hetimet kanë nisur pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje.
/Priza.al/