Ditën e djeshme RENEA dhe FNSH kanë ushtruar kontrolle në vilën e Ervis Martinajt në Surrel, e cila ndodhet jo shumë larg banesës së kryeministrit Edi Rama. Kontrollet u zhvilluan me qëllim të gjetjes së gjurmëve të të shumëkërkuarit, ose të sendeve apo të dhënave që mund të çojnë te Martinaj.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, veç disa dokumentave të gjitura, nuk është gjetur gjë tjetër e paligjshme. Sipas burimeve të ‘Ora News’, shtëpia ishte me certifikatë pronësie të një personi tjetër, F. Vuthaj, i cili rezulton të jetë pronari i kompanisë së ndërtimit “Vuthaj Sh.p.k”.
Vuthaj u ka treguar hetuesve se vila ishte blerë prej tij në vitin 2017 dhe nga kjo periudhë e në vijim ja ka dhënë me qira përmes një kontrate qiraje, Ervis Martinajt.
SPAK pritet të hetojë vërtetësinë e dokumentacionit të pronësisë së vilës.
Gjatë aksionit, policia arriti të sekuestrojë disa dokumente të pronësisë së vilës luksoze dhe një pasaportë të Kosovës në emër të shtetasit Admir Koca, por me fotografi të Ervis Martinajt.