Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë tha të dielën se përgatitjet janë drejt përfundimit në bazën ajrore të aleancës ushtarake të NATO-s në qytezën jugqendrore të Shqipërisë, Kuçovë, para se ajo të përurohet më 4 mars. Komandanti i Forcës Ajrore të Shqipërisë, gjeneral brigade Ferdinand Dimo, tha se trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të saj së shpejti do të akomodohen, stërviten dhe fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, tashmë bazë ajrore taktike e NATO-s. Shqipëria është anëtare e NATO-s prej vitit 2009.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi se kjo bazë do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s.
“Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës. Ky hap shënon një fazë të re në forcimin e kapaciteteve tona për bashkëpunim ndërkombëtar dhe siguri rajonale”, shkruan Peleshi në Facebook.
Baza e Kuçovës u përmend edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë vizitës së tij në Tiranë më 15 shkurt.
“Përgjatë 15 viteve të saj në NATO Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore të NATO-s në Kuçovë, tha Blinken.
Punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës. Në kohën kur nisi ndërtimi i kësaj baze, ministri Niko Peleshi pati deklaruar se ky ishte një mesazh i qartë “për aktorët e tjerë me qëllime të këqija” në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Për autoritetet shqiptare përzgjedhja e bazës së Kuçovës lidhet sa me pozicionin gjeo-strategjik të vendit, si dhe të vet aeroportit, aq dhe me besueshmërinë që Shqipëria ka krijuar në gjirin e aleancës ushtarake. Në ceremoninë për përurimin e bazës ajrore do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të SHBA-së. Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90.
Pas rikonstruksionit të bazës së Kuçovës, Qeveria e kryeministrit Edi Rama kërkoi që të procedohet sa më shpejt në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për ta bashkëfinancuar me NATO-n rikonstruksionin e bazës së re detare në Porto Romano./rel