Në raportin e kostove që shkakton ndotja e ajrit në shëndetin e njerëzve, Banka Botërore përllogariti se në Shqipëri, gjatë vitit 2019, kishin humbur jetën 2,257 persona si pasojë e ndotjes së mjedisit të jashtëm dhe brenda shtëpisë.
Sipas të dhënave, ndotja e mjedisit ishte përgjegjëse për 10 për qind të totalit të vdekjeve në vitin 2019. Sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT, në vitin 2019 në vendin tonë kanë humbur jetën 21,937 persona.
Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore, Shqipëria kishte 83 vdekje për 100 mijë banorë nga faktorët e ndotjes ambientale, një vlerë e lartë në krahasim me vendet në zhvillim, por e kishte këtë tregues më të ulët se vendet e rajonit.
Nga totali i vdekjeve që shkaktoi ndotja, 1532 ishin krijuar nga mjedisi i jashtëm dhe 724 nga mjedisi brenda shtëpisë.
Banka Botërore referoi se kudo në botë, ndotja e ajrit është shkaku kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve. “Ndotja e ambientit” i referohet ndotjes së ajrit në ambientin e jashtëm dhe “Ndotja e ajrit në familje” i referohet ndotjes së ajrit me origjinë nga mjedisi i shtëpisë.
Banka vlerësoi se ndotja e ajrit është rreziku kryesor mjedisor në botë për shëndetin dhe shkaku i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet ishemike të zemrës, goditje në tru, kancer të mushkërive, sëmundjet obstruktive kronike të mushkërisë, pneumoni, diabeti i tipit 2 dhe çrregullime neonatale.
Shumica e vdekjeve që lidhen me ndotjen e ajrit shkaktohen nga ekspozimi i njeriut ndaj thithjes së grimcave të imëta, të njohura edhe si PM2.5.
Miliarda njerëz në vendet në zhvillim jetojnë në vende ku ambienti dhe përqendrimet e brendshme të PM2.5 janë shumë herë më të larta se vlerat normale të përcaktuara nga Organizata Botërorë e Shëndetësie.
Banka Botërore vlerëson se, rreth 6.4 milionë njerëz vdiqën para kohe në mbarë botën në vitin 2019 për shkak të ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit PM2.5.
Rreth 95 për qind e tyre vdekjet kanë ndodhur në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Rreth 70% për qind e vdekjeve ndodhën në Azinë Lindore dhe Paqësor dhe Azinë Jugore. Kina dhe India kishin 52 për qind të vdekjeve globale nga PM2.5.
Përveçse një problem shëndetësor, ndotja e ajrit përkeqëson cilësinë e jetës dhe pengon konkurrencën ekonomike. Njerëzit e varfër kanë më shumë gjasa të jetojnë në një mjedis të ndotur dhe vuajnë nga ndikimet negative të ndotjes së ajrit.
Njerëzit e sëmurë si pasojë e ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit kanë më shumë gjasa të pushohen nga puna. Ndotja e ajrit gjithashtu pengon aftësinë e qyteteve për të tërhequr punonjës të kualifikuar.
Një studim i fundit ka gjetur se ndotja e ajrit me PM2.5 luan një rol të rëndësishëm rol në rritjen e incidencës së COVID-19 dhe normave të vdekjeve. /B.Hoxha-Monitor